BE -ja dënoi vendimin e Rusisë për të bllokuar 81 media evropiane të lajmeve, e cila ishte si hakmarrje për një ndalim të ngjashëm për disa media ruse.

Muajin e kaluar, BE-ja i quajti Zëri i Evropës, agjencia e lajmeve RIA dhe gazetat Izvestia dhe Rossiyskaya Gazeta si “rrjete propagandistike të lidhura me Kremlinin” dhe u hoqi të drejtat e tyre të transmetimit në bllokun 27-vendesh.

“Ky vendim kufizon më tej aksesin në informacionin e lirë dhe të pavarur dhe zgjeron censurën tashmë të ashpër të medias në Rusi,” tha në një deklaratë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell .

Duke mbajtur qëndrimin se mediat e ndaluara evropiane funksionojnë sipas parimeve të gazetarisë dhe ofrojnë informacione faktike, duke përfshirë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, ai tha: “Në të kundërt, dezinformatat ruse, kundër të cilave BE ka futur masa kufizuese, nuk përfaqësojnë mediat e pavarura”.

“Respekti për lirinë e shprehjes dhe medias është një vlerë thelbësore për BE. Ajo do të vazhdojë të mbështesë disponueshmërinë e informacionit faktik edhe për audiencën në Rusi,” shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha të martën se në përgjigje të ndalimeve të vendosura ndaj mediave ruse të lajmeve, “po futen kundërkufizime” për mediat nga vende specifike të BE-së dhe operatorët e mediave pan-evropiane.

Midis atyre të ndaluarve janë mediat kryesore si Der Spiegel, Agence France-Presse, El Mundo e Spanjës, Le Monde e Francës, Agence Europe dhe Politico Europe.

 

(A.A/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb