Të rinj nga Serbia marrin pjesë në festivalin “Mirëdita, dobar dan” në Prishtinë, Kosovë, maj 2023.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) besojnë se politikanët nuk duhet t’i politizojnë festivalet që promovojnë shkëmbime kulturore mes vendeve, siç është festivali “Mirëdita, dobar dan”, pas thirrjeve nga zyrtarë të caktuar në Beograd për anulimin e tij.

“Është e rëndësishme të përmbahemi nga gjuha nxitëse dhe politizimi i asaj që në thelb është një iniciativë kulturore e organizatave të shoqërisë civile që duan të promovojnë shkëmbime ndërkulturore dhe ndërpersonale. Shkëmbime të tilla janë pjesë e rëndësishme e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kjo ngjarje duhet të mbahet”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Zyrtarë të caktuar në Beograd kanë kërkuar anulimin e këtij festivali, pavarësisht se kjo ngjarje ka për qëllim krijimin një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.

“Organizatorët duhet të jenë në gjendje të punojnë në një mjedis të sigurt dhe të gjithë qytetarët që duan ta shijojnë festivalin duhet ta bëjnë këtë në përputhje me të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes dhe tubimin paqësor”, tha Stano.

Thirrjet për anulimin ose shtyrjen e festivalit po bëhen për shkak se ngjarja treditore përkon me Vidovdanin.

Kjo festë fetare dhe kombëtare festohet më 28 qershor në kujtim të Betejës së Kosovës, kur u përplasën ushtritë serbe dhe turke në vitin 1389.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: