Bashkimi Evropian tha se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimeve, duke lejuar futjen e mallrave nga Serbia nëpërmjet pikës kufitare të Merdarit.
BE-ja tha në Facebook të martën se tregtia e lirë e mallrave në tërë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s “është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal”.
“Mirëpresim heqjen e kufizimeve për hyrjen e produkteve të gatshme serbe në Kosovë përmes Merdares. Tregtia e lirë e mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s, është çelësi për funksionimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili është pjesë integrale e Planit të Rritjes. Për të mirën e njerëzve dhe të bizneseve”, thuhet në njoftim.