Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë të shtunën se kompanitë evropiane po nënshkruajnë marrëveshje me vlerë më shumë se 40 miliardë euro me kompanitë egjiptiane, që përfshijnë një gamë të gjerë industrish.
Von der Leyen po fliste në Konferencën e Investimeve BE-Egjipt në Kajro, ku zhvilloi gjithashtu bisedime me presidentin egjiptian, Abdel-Fattah el-Sissi.
“Në këtë konferencë, kompanitë evropiane po nënshkruajnë mbi 20 marrëveshje të reja me partnerët egjiptianë, të cilat kapin vlerën e mbi 40 miliardë eurosh. Kemi kompani në sektorë që variojnë nga hidrogjeni te menaxhimi i ujit, nga ndërtimi deri te kimikatet, nga transporti në aviacion dhe në automobila”, ka thënë ajo.
Von der Leyen gjithashtu mbrojti investimet në energjinë e gjelbër dhe trajnimin digjital, duke vënë në dukje “qëllimin ambicioz të Egjiptit për t’u bërë një qendër e energjisë së pastër”, raporton AP.
Konferenca dyditore është pjesë e Partneritetit Strategjik dhe Gjithëpërfshirës Egjipt-BE për të cilin u ra dakord nga von der Leyen dhe el-Sissi në mars.
Marrëveshja mbulon marrëdhëniet politike, stabilitetin ekonomik, investimet dhe tregtinë, si dhe çështjet e migracionit dhe sigurisë.