Pas krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, vjen një mesazh pozitiv edhe nga Bashkimi Europian.

Përmes një njoftimi për shtyp, shefat e Misioneve të BE-së në Shqipëri theksuan se krijimi i këtyre institucioneve shënon sukses në rrugën e vettingut, për një sistem gjyqësor të pavarur.

Deklarata nga Shefat e Misioneve të BE-së në Shqipëri
“Shefat e Misioneve të BE-së në Shqipëri mirëpresin krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas zgjedhjes së anëtarëve magjistratë më 11 dhe 12 dhjetor.
Krijimi i Këshillave shënon një hap vendimtar në zbatimin e reformës së drejtësisë në Shqipëri. Kjo konfirmon pakthyeshmërinë e reformës dhe suksesin e procesit të vetingut, si një bazë e domosdoshme për krijimin e të gjitha institucioneve të reja gjyqësore.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy shtyllat e një sistemi gjyqësor të pavarur, efikas dhe cilësor. Krijimi i dy Këshillave do të mundësojë tani krijimin e Strukturave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përhershëm. Kjo do të mundësojë konsolidimin e mëtejshëm të progresit të bërë me reformën e drejtësisë.
Shefat e Misioneve të BE-së në Shqipëri përshëndesin përpjekjet e mëdha të ndërmarra nga Shqipëria në procesin e reformës së drejtësisë dhe u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve kombëtarë që ta konsolidojnë këtë reformë, edhe nëpërmjet rekrutimit dhe emërimit të magjistratëve të rinj, çka është vendimtare për funksionimin e ardhshëm të gjyqësorit. Ata gjithashtu ritheksojnë rëndësinë e një gjyqësori të fortë dhe të pavarur për të dhënë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit.
BE-ja dhe Shtetet e saj Anëtare mbeten plotësisht të përkushtuara për ta mbështetur Shqipërinë në ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur, efikas dhe cilësor, që jep drejtësi për të gjithë qytetarët shqiptarë.”
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: