Bashkimi Evropian ka kritikuar presidentin e Maqedonisë, Gjeorgje Ivanov dhe VMRO-DPMNE-në për shkak të bllokimit të proceseve demokratike në Maqedoni, njoftojnë mediat shqiptare në Maqedoni.

Këshilli i BE-së, Komisioni Evropian dhe deputetët e Parlamentit Evropian presin nga Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, që t’i respektojë normat demokratike, ndërsa VMRO të sillet me përgjegjësi.

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgël, ka prezantuar mbrëmjen e së mërkurës raportin për Maqedoninë, i cili u mbështet nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së.

“Parlamenti nuk mund të formohet për shkak të pengesave sistematike të VMRO-së dhe sjelljes së presidentit Gjorgje Ivanov. Sjellja e tij është kritikuar nga BE-ja, SHBA-ja dhe NATO”.

Jan Borg nga Këshilli Evropian theksoi edhe njëherë shqetësimin e madh për faktin se Maqedonia nuk ka ende një qeveri. Ai kujtoi se edhe presidenti i Këshillit, Donald Tusk gjatë vizitës në Shkup kërkoi sjellje shtetërore dhe unitet në Maqedoni. Duke shprehur mbështetje për Prokurorinë Speciale, Borg tha se qeveria e re patjetër duhet të punojë në realizimin e reformave të parashikuara në marrëveshjen e Përzhinos.

Komisioni Evropian gjithashtu theksoi shqetësimin për faktin që Presidenti Ivanov refuzon të japë mandatin për krijimin e qeverisë, duke kërkuar prej tij respektim të rezultateve të zgjedhjeve dhe të lejojë funksionimin e demokracisë, njoftojnë më tej mediat shqiptare në Maqedoni.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: