Bashkimi Evropian i ka dhënë dritën e gjelbër kredisë prej 35 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila do të shlyhet gradualisht nga Kievi përmes interesave nga asetet e ngrira ruse në fillim të konfliktit.
Rezervat valutore ruse arrijnë deri në 270 miliardë euro, nga të cilat 210 miliardë janë në vendet e Bashkimit Evropian. Përfitimet që do të gjenerohen vlerësohen nga 2.5 në 3 miliardë euro në vit.
Një marrëveshje fillestare e arritur në qershor i kërkonte grupimit G7 që të jepte bashkarisht 45 miliardë euro për Kievin brenda fundit të vitit.
Në fund, BE-së iu desh të vendoste më shumë para në tryezë, pasi Uashingtoni e kushtëzoi pjesëmarrjen e tij me zgjatjen nga BE të sanksioneve ndaj Moskës.
“Ekziston rreziku që në një farë pike sanksionet ndaj aseteve ruse të mos zgjaten për shkak se për këtë duhet një qasje unanime. Për pasojë, rrjedhja e parave nga asetet ruse mund të ndërpritet”,- tha Svitlana Taran, studiuese, Qendra për Politikat Evropiane.
Këto sanksione votohen unanimisht çdo 6 muaj, por BE dëshiron ta bëjë këtë manovër çdo tre vjet për më shumë stabilitet.
Edhe Shtetet e Bashkuara druhen se ndonjë shtet anëtar mund të bllokojë sanksionet në fjalë dhe të sjellë dështimin e planit.
Nga ana e saj, Hungaria ka deklaruar tashmë se do ta ngadalësojë ndryshimin e praktikës së sanksioneve derisa të mbahen zgjedhjet amerikane.
“Shtetet e Bashkuara, për shembull, mund të marrin në konsideratë një suplement në gjysmën e dytë të vitit pas zgjedhjeve, por nuk ka garanci që kjo manovër të funksionojë. Ka shumë hezitim, sidomos tek Donald Trump. Nëse ai fiton zgjedhjet nuk dihet se cilat do të jenë planet e tij për ndihmat apo armëpushimin”,- tha Kristine Berzina, drejtoreshë e Fondit Marshall Gjerman.
Kievi do të jetë i lirë të vendosë se si të përdorë këto fonde. Tani, topi është në fushën e Parlamentit Evropian, i cili duhet të japë konsensusin e tij.