Ambasadorët e Bashkimit Evropian (BE) do ta japin dritën jeshile më 9 Prill për paketën më të madhe deri më sot të ndihmës ushtarake të bllokut për Moldavinë, në vlerë të 20 milionë eurove.
Ky vendim është i rëndësishëm, sepse Moldavia është vend neutral me kushtetutë dhe në të kaluarën BE-ja i ka dhënë vetëm ndihmë që cilësohej “jovdekjeprurëse”, si automjete ushtarake, mbikëqyrje ajrore dhe pajisje për përforcimin e sigurisë kibernetike.
Kjo ndryshoi vitin e kaluar, kur Brukseli ofroi 9 milionë Euro për raketa me rreze të shkurtër për sistemet e mbrojtjes ajrore. Tani, BE-ja është duke e dyfishuar këtë sasi.
Miratimi i këtyre masave vjen vetëm një javë pasi të njëjtët ambasadorë të BE-së miratuan një tjetër pako ndihme financiare për të plotësuar këtë të parën.
Paketa tjetër, me vlerë 40 milionë Euro, është ajo që blloku e quan ndihmë ushtarake jovdekjeprurëse. Nga kjo shumë, gjysma do të përdoret për të blerë rreth 33 automjete taktike me lëvizshmëri të lartë për të zëvendësuar automjetet e vjetra të tipit sovjetik.
Ndërsa 20 milionë Eurot e tjera janë për një sistem integrimi taktik të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër, që në thelb do të mundësojë funksionimin pa telashe të hedhësve dhe raketave të ofruara në paketën “vdekjeprurëse”.
(BalkanWeb)