Këshilli Evropian miratoi të hënën një paketë ndihme prej 13 milionë eurosh për të mbështetur ushtrinë e Shqipërisë.

Lajmi u bë i ditur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë, e cila e cilësoi vendimin si arritje historike për Shqipërinë.

Fondi është ndarë për të mbështetur forcat e armatosura shqiptare në kuadër të Mekanizmit Evropian të Paqes.

“Kjo nismë synon të forcojë aftësitë ushtarake të Shqipërisë dhe të rrisë sigurinë rajonale”, tha Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë.

Përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter – Zyra e BE-së tha se ndihma ka për qëllim rritjen e efektivitetit operacional të lëvizshmërisë, manovrimit dhe mbrojtjes.

Sipas saj, këto fonde do të forcojnë kapacitetin e Shqipërisë në lidhje me pjesëmarrjen e saj në operacionet dhe misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së, si dhe në çdo koalicion ndërkombëtar.

Kryediplomati në shkuarje i BE-së, Joseph Borrell, ka deklaruar se Shqipëria është partnere e besueshme për siguri.

“Vendimi është një arritje e rëndësishme në bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen. Gjithashtu, ai pasqyron vlerësimin tonë për qëndrimin e Shqipërisë në linjë të plotë me Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së, një shprehje shumë e qartë e zgjedhjes strategjike të Shqipërisë për një të ardhme brenda BE-së”, ka thënë Borrell.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: