Maja Kocijançiç, Zëdhënësja e BE-së ka folur për votimet e së dielës. Kocijançiç deklaron se zgjedhjet u zhvilluan përgjithësisht të qeta dhe të rregullta. Ajo bën thirrje që organet lokale të sapozgjedhura të punojnë sipas kompetenca të tyre kushtetuese, një apel që i ngjan një njohje të 30 qershorit, pavarësisht se në 31 bashki kishte vetëm një kandidat.


“Zgjedhjet lokale të zhvilluara në Shqipëri të dielën më 30 qershor u zhvilluan në një kontekst të ndarjes politike, por në një mënyrë përgjithësisht të qetë dhe të rregullt.


Ne morëm parasysh të gjitha vërejtjet paraprake të bëra nga Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR. Organet lokale të sapozgjedhura tani duhet të jenë në gjendje të punojnë sipas kompetencave të tyre kushtetuese, në dobi të qytetarëve të vendit.


Siç thuhet në mënyrë të përsëritur: qeveria dhe opozita duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike.

Të gjitha institucionet shqiptare dhe udhëheqësit politikë tani duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në vijueshmërinë e zbatimit  të procesit të reformës, duke përfshirë rinisjen e reformës së iniciuar më parë të legjislacionit zgjedhor për të adresuar rekomandimet e ODIHR-it”, deklaron Kocijançiç.

(m.k/BalkanWeb)