Fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, i cili pritet të bëhet kryeministër i vendit, ka dhënë një intervistë për gjigantin britanik “The Guardian”, ku ka dënuar vendimin e Bashkimit Evropian për të bllokuar zgjerimin në Ballkan, referuar mos hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.


Lidhur me këtë, Kurti ka thënë se liderët perëndimorë kanë harruar mësimet nga dy luftërat botërore dhe tani po tërhiqen përballë fashizmit dhe populizmit. Albin Kurti deklaroi se ky vendim i BE mund të dëmtojë edhe shanset e Kosovës për të arritur një marrëveshje me Serbinë, e cila ka refuzuar të njohë pavarësinë e saj.


“Bashkimi Evropian është krijuar si kundërpërgjigje ndaj fashizmit, por tash po ikën i frikësuar përballë populistëve dhe fashizmit”, tha Albin Kurti për gazetën e famshme britanike.


Duke kritikuar vendimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, për bllokimin e hapjes së negociatave për pranim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, ai u shpreh: “Ju nuk mund të thoni se fillimisht kemi nevojë për reforma të brendshme në BE dhe më pas zgjerim të jashtëm, sepse këto shkojnë dorë për dore. Evropa është një projekt aq i rëndësishëm historik, saqë asnjë individ nuk mund të jetë autori i tij, nuk mund ta drejtojë apo ta udhëheqë atë. Kemi parë gjithmonë që kur Jean-Claude Juncker thoshte se nuk do të ketë zgjerim në pesë vjetët e ardhshëm, gjendja në Ballkan përkeqësohej shumë”.

“Po, Bashkimi Evropian është i rëndësishëm për Ballkanin, por Ballkani është shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian. Berlini dhe Parisi duhet ta dinë këtë mirë dhe është shumë pikëlluese për të gjithë ne që ata e kanë harruar këtë. Brenda disa dekadash, historianët do të shkruajnë se nuk kanë qenë dy luftëra botërore, por vetëm një luftë botërore me dy episode, ku gjithçka filloi në Sarajevë”, tha Kurti.

Ai paralajmëroi se taksa 100 për qind e vënë ndaj mallrave të Serbisë nga paraardhësi i tij, Ramush Haradinaj, do të largohet, vetëm nëse ka masa të plota reciproke për lejimin e tregtisë së mallrave kosovare në Serbi. Ai tha se Beogradi gjithashtu duhet t’i japë fund fushatës diplomatike për t’i bindur shtetet që ta tërheqin njohjen e Kosovës. “Nëse ata duan ta nisin dialogun, ata duhet që të mënyrë eksplicite t’i ndalin shpifjet rreth të drejtës sonë për shtetësi”, tha ai.

“Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj, e jo t’i shikojë Kosovën e Shqipërinë me dylbi ushtarake. Serbia ka nevojë për një lloj analize të vetvetes”, shtoi Kurti.

Ai theksoi se është plotësisht kundër idesë për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, e cila u soll në tavolinë nga presidenti serb, Aleksander Vuçiç, dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. “Çfarëdo kufiri i ri që të formohet, do të ketë serbë ose shqiptarë në anën tjetër të tij, e ata pretendojnë se mund ta bëjnë këtë në mënyrë paqësore”, tha ai.

Kurti foli edhe për flamurin e Kosovës. Ai tha se ky flamur i është imponuar vendit me kushtin që të mos ketë shqiponjë, ngjyrë të kuqe apo ngjyrë të zezë, siç tha ai, sikur pavarësia të mos jetë shpallur nga Serbia, por nga Shqipëria.

Megjithatë, ai u zotua se në postin zyrtar si kryeministër do ta mbajë dhe do ta respektojë flamurin zyrtar të Kosovës. “Kam detyra më të rëndësishme sesa rregullimin e orendive në zyrën e kryeministrit”, tha Kurti, shkruan “The Guardian”.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb