Pak para protestës së opozitës delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri apelon për zhvillimin e një tubim paqësor, si edhe kerkon nga udhëheqësit e protestës si edhe autoritetet shqiptare të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore.


Një apel, delegacioni i BE-së ka edhe për klasën politike në vend, të cilët i fton të ulen në dialog në të mirë të qytetarëve shqiptarë.


“Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri respektojnë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar. Megjithatë, ne përsërisim rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë paqësore. Ne dënojmë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e atyre që janë në rrugët e Tiranës sonte. Nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore. Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen.


Për të mirën e qytetarëve shqiptarë, shumica e të cilëve dëshiron të shohë që vendi të bëjë përpara me procesin e reformave dhe të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente”.- thuhet në deklaratë

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb