Nga VASIL KURETA*

Vendet e BE dhe Rusia janë gjeografikisht pranë, por politikisht, nga vizioni dhe këndvështrimi i problemeve, janë tashmë përballë njëri-tjetrit.Nuk bëhet fjalë për thjesht dallime, por për qëndrime të kundërta për probleme të rëndësishme të zhvillimit të marrëdhënieve mes tyre. Është vërtet shqetësues ky zhvillim, por një e vërtetë e hidhur. Kontradiktat në një marrëdhënie janë të kuptueshme, sepse interesat nuk mund të jenë të njëjta, por tani kontradikta mes tyre po merr një cilësi shqetësuese.

Pas rrëzimit të komunizmit marrëdhëniet mes BE dhe Rusisë filluan të formësojnë një përmbajtje të re e komplekse. Deri këto dy vitet e fundit kjo marrëdhënie është mbushur me më shumë bashkëpunim, dialog e marrëveshje të rëndësishme në shumë fusha, si ato të ekonomisë e të biznesit, të sigurisë, të diplomacisë e të kulturës, të shoqëruar me vizita e kontakte të shpeshta mes Rusisë dhe vendeve të BE, sidomos të atyre që përbëjnë atë që është quajtur “Europa e vjetër”.
Ishte koha kur Rusia bënte partnerin, konstruktivin, pjesëmarrësin korrekt në formate të rëndësishme, madje dhe me një element të rëndësishëm si statusi i vëzhguesit në NATO. Rusia ecte në dy shina, në atë të përgatitjes në fshehtësi të strategjisë së superfuqisë botërore, por dhe të shfaqjes së një sjelljeje të re në marrëdhëniet ndërkombëtare. U krijua kështu një cilësi marrëdhënieje “funksionuese” , “pragmatiste” e me interes reciprok, që krijoi perceptimin e një ndryshimi të rëndësishëm, që i hapi rrugë një përfytyrimi iluzor për të ardhmen e marrëdhënieve mes tyre.

Ky element iluzor për të ardhmen e këtyre marrëdhënieve, shkaktoi dhe atë fenomen, jo pa pasoja, siç ishte pakësimi i ndjeshëm i shpenzimeve ushtarake europiane për sigurinë dhe mbrojtjen. Dhe kjo, në kushtet kur Rusia, në mënyrë të fshehtë, por dhe jo të fshehtë, mbante nivele tepër të larta të shpenzimeve ushtarake për mbrojtjen dhe prodhimin e armëve të sofistikuara, madje dhe shkelte marrëveshjet e nënshkruara me SHBA, si ato për pakësimin e armëve bërthamore. Edhe po të mos llogarisim fare punën e shërbimeve sekrete, por vetëm ato që ishin lehtësisht të konstatueshme, si është e mundur, që askush nga vendet e BE nuk u ndal të pyeste e të analizonte me përgjegjësi, se përse shpenzonte kaq shumë për mbrojtjen dhe armët e sofistikuara Rusia? Kush e rrezikonte dhe kërcënonte sigurinë e saj, kur vendet e BE, bashkë me SHBA, të konsideruara armik kryesor për Rusinë, ofronin marrëdhënie miqësore e bashkëpunimi? Më tej si mund të justifikoheshin këto shpenzime të mëdha e intensive, kur Rusia kishte marrëdhënie të mira e preferenciale me Iranin e Korenë e Veriut, të cilat, vendet e BE , bashkë me SHBA, i konsideronin si vende me rrezik të lartë për paqen e sigurinë botërore?
Edhe kur Rusia tregoi muskujt në krizën gjeorgjiane dhe futi trupat ushtarake në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut, pjesë integrale e shtetit të pavarur të Gjeorgjisë, përsëri nuk u realizua ndonjë analizë e reflektim i thelluar. Dhe ja u desh shpërthimi i krizës ukrainase dhe aneksimi i Krimesë, që vendet e BE të shkunden, të ndjejnë një rrezik jo të vogël, të kuptojnë avancimin e ndjeshëm e kërcënueshëm të strategjisë ruse të superfuqisë botërore, që synon të ndryshojë me dhunë hartën e Europës, që copëton sovranitete të shteteve të pavarura dhe kërcënon rrezikshëm stabilitetin e vendeve të BE, anëtare të NATO-s dhe rendin botëror.

Kështu, fillon të marrë udhë mbushja e marrëdhënieve mes BE dhe Rusisë me elementë të rinj të rëndësishëm, që po thellohet me ritëm të shpejtë drejt një cilësie krejt të re të marrëdhënieve mes tyre, me lindjen e një kontradikte reale që ka prirje të acarohet. Edhe pse Rusia akuzon perëndimin, SHBA dhe BE, që aplikuan sanksione ndaj saj, shkaktari i vërtetë i lindjes së kontradiktës dhe acarimi i saj në proces, është Rusia.

Është avancimi nga Rusia i strategjisë së superfuqisë botërore, është vendi i dukshëm i dhunës dhe forcës në sjelljen e saj , është shkelja e ligjit ndërkombëtar dhe i marrëveshjeve të nënshkruara, aneksimi i Krimesë dhe kriza ukrainase, prirja e Rusisë për të ndryshuar me dhunë hartën e Europës, demonstrimi prepotent i fuqisë dhe forcës ushtarake edhe në hapësirat ajrore të vendeve europiane e anëtare të NATO-s , që kontradikta në marrëdhëniet BE-Rusi ka marrë këtë përmbajtje e cilësi. SHBA dhe BE dëshmuan përgjegjësi të lartë ndaj sigurisë së rendit botëror, që tentuan ta ndalin këtë avancim të sjelljes së Rusisë, që thellonte ndarjen dhe kontradiktën, sidomos ndryshimin e natyrës dhe cilësinë e saj, duke aplikuar strategjinë e sanksioneve ekonomike. Rusia dhe Putini nuk mund ta mohojnë dot se kanë punuar sistematikisht për ta konsideruar SHBA dhe perëndimin si armik të Rusisë. Kjo i ka interesuar shumë Putinit të garantojë mbështetje maksimale brenda vendit. Edhe pse nuk e kanë dëshiruar këtë zhvillim negativ, vendet e BE, bashkë me shqetësimin, janë përqendruar në trajtimin me kujdes të kësaj kontradikte. Një nga drejtuesit e një organizmi mbikombëtar të BE, Junker, deklaroi me shpejtësi se, Rusia është problem strategjik për BE, duke shprehur kështu shqetësimin real të BE.
Edhe pse vjen nga një drejtues i një organizmi mbikombëtar dhe jo si rezultat i një analize të përbashkët të vendeve të BE, përsëri dëshmon se shqetësimi europian ka zëvendësuar shkujdesjen. Ka filluar realisht një reflektim europian për këtë zhvillim të rëndësishëm, megjithëse duhet thënë, se po kryhet nën ndikimin e iluzioneve të formuara, të shkujdesjes së akumuluar, ndikimit të ndjeshëm të krizës së eurozonës, problematikës së brendshme e sfidave të vetë drejtimit të BE, diferencave në interesa ekonomike e financiare etj. Zhvillimet në teren bëjnë presion në rritje për një strategji efektive përballuese e fituese për Europën dhe më gjerë edhe pse mund të ketë dhe ndonjë, që nuk shkëputet dot nga nacionalizmi e shteti komb, duke e parë të largët për vendin e vet, kërcënimin real të Europës.

Rrëzimi i komunizmit dhe shpërbërja e BS sikur e vuri në gjumë perëndimin. Është e vërtetë e pamohueshme që perëndimi e monitoroi dhe menaxhoi mirë këtë ndryshim të madh, që ishte fitore e perëndimit mbi lindjen komuniste. Perëndimi u kujdes maksimalisht dhe ndihmoi ish- vendet komuniste të lindjes të instalonin institucionet e demokracisë pluraliste dhe të ekonomisë së tregut, për sendërtimin në demokracitë e reja të standarteve e vlerave demokratike europiane. Kjo situatë krijoi bindjen te vendet perëndimore se nuk do të kishte kthim prapa dhe sidomos konfrontime të rrezikshme. Modeli komunist i aplikuar vërtet u likuidua, por kjo nuk nënkuptonte dhe likuidimin e faktorëve apo të forcave, opsioneve e strategjive, që kërkojnë destabilizim e që kërcënojnë realisht paqen, sigurinë e stabilitetin botëror.

Mundja e lindjes komuniste ishte vërtet triumfuese, falë epërsisë së gjithanshme që demonstroi ndaj saj. Madje vetë lideri i komunizmit në Rusi, Lenini e kishte parashikuar në një farë mënyre këtë fund. Ai shikonte një përballje të gjithanshme mes dy sistemeve të kundërta, duke shtruar pyetjen se, ‘kush do të fitojë’, ne apo ata, socializmi apo kapitalizmi. Lenini , me sa duket kishte të drejtë, kur mendonte se do të fitojë ai rend shoqëror që do të sigurojë rendimentin më të lartë në punë. Kështu ndodhi, por zhvillimi i sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare bëri jetën e vet kontradiktore, duke arritur në situatën e sotme, me një kontradiktë të re reale mes Rusisë dhe perëndimit, d.m.th SHBA dhe BE.

Ndoshta jam i gabuar në arsyetim kur mendoj se SHBA është më e qartë për përmbajtjen dhe natyrën e vërtetë të kontradiktës mes Rusisë dhe perëndimit. Vendet e BE kanë shfaqur vështirësi për të realizuar një vlerësim të plotë e të unifikuar, që do ti çonte dhe në një strategji përballuese të suksesshme. Të kuptohemi , fjala është jo për reagime përmes forcës, por për reagime dhe strategji që parandalojnë konfrontimet e mundshme e përdorim të forcës. Fjala është për të konsumuar me sukses parandalimin e konfrontimit dhe që të mos lejohet të harxhohen energji dhe shpenzime të mëdha për tu marrë me pasojën e mundshme.

Reagimet, qoftë nga drejtues të institucioneve të BE, por dhe të disa vendeve të rëndësishme europiane si Gjermania, Franca, Anglia etj, dëshmojnë më së miri përmbajtjen e vështirësisë për të përgatitur një strategji të plotë e të unifikuar si BE. Është i kuptueshëm ndikimi i krizës së eurozonës, që si të thuash u fryn më shumë ndasive, apo animit nga interesat ekonomike e financiare të vendeve të veçanta. Zhvillimet e fundit kanë evidentuar më qartë nevojën e përballimit të sfidës së drejtimit të BE si një organizëm unik. Fakti që BE nuk e ka përmbyllur plotësisht ciklin e saj drejtues ka bërë që të mos ketë një politikë të jashtme të unifikuar. Po kështu, vazhdimi i krizës së eurozonës u ka krijuar hapësirë jo të vogël forcave politike ekstremiste brenda vendit, që nuk ngurojnë të tundin dhe opsionin anti-BE. Kjo është tepër shqetësuese, se mpin vendimmarrjen e unifikuar e efektive si BE.

Ka realisht deklarime e qëndrime të qarta nga vendet e BE për kontradiktën BE-Rusi, por janë disi spontane e jo si pjesë e një strategjie të diskutuar, të analizuar e dakordësuar bashkërisht nga vendet e BE. Pas Junkerit doli dhe Mogherini, që i kërkoi Putinit ta mbajë larg Ballkanin Perëndimor nga dinamika e zhvillimeve të sotme, d.m.th që Rusia të mos e përfshijë Ballkanin në konfrontimin lindje-perëndim, lidhur me krizën e Ukrainës. Vërtet Mogherini deklaroi se është në interes të të dy palëve që të gjejnë dhe të zhvillojnë mënyra të bashkëpunimit e jo konfrontimin, por kjo nuk është asnjë “çështje Mogherini” e as nuk mund të mbetet në një nivel thirrje apo kërkesë ndaj Rusisë, që tashmë, ka një strategji të përpunuar në veprim. Në një intervistë të fundit kancelarja gjermane Merkel denoncoi një strategji ruse të rritjes së influencës së saj në vendet e Evropës lindore, duke filluar nga Serbia.

Rusia e ka të qartë se rivalitetin dhe ndarjen e fuqisë nuk e ka me BE apo me ndonjë vend të veçantë të saj, por me SHBA. Por Putini e ka të qartë se Rusia nuk mund të jetë fuqi botërore pa qenë një fuqi europiane. Deri më sot Rusia nuk ka mundur të sigurojë një rol të dukshëm europian. Rusia ka realisht sot një lëvizje drejt ish- vendeve të kampit socialist, duke përdorur të gjitha llojet e influencimit. Kakarisjet e disave të vetëshpallurve “putinistë” apo simpatizues të filozofisë së tij të dorës së fortë qeverisëse, janë sa qesharake aq edhe të panevojshme. Nuk ka sot një mundësi reale për të bërë një ndarje të “Evropës së vjetër” nga ajo e re. Megjithatë, strategjia e Rusisë është tu fryjë ndarjeve , duke përdorur edhe vështirësitë që shkakton kriza e eurozonës.

Këtu duhet sjellë në vëmendje fakti se Rusia ka punuar shumë kohë më parë për të mundësuar një rol të saj në këtë rajon, sidomos në Ballkanin Perëndimor. Rusia po godet tani, por përgatitjet janë bërë shumë kohë më parë. Tani bëhen më të kuptueshme qëndrimet e Rusisë në kryerjen e disa zgjidhjeve në Ballkan. Zgjidhja boshnjake u krye në kushtet e një trysnie të vërtetë ruse dhe për këtë arsye ajo është një zgjidhje e qepur me pe të bardhe e të kalbur. Është realisht një konflikt i ngrirë, që mund të përdoret nga Rusia në strategjinë e saj në veprim. Po kështu, mund ti referohemi ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë për të ndaluar genocidin shfarosës të Millosheviçit ndaj shqiptarëve, kur në përmbyllje të aksionit perëndimor, Rusia ndërhyri e zaptoi ushtarakisht Aeroportin e Prishtinës. Ishte një moment kritik , që u kapërcye dhe tani gjenerali amerikan dhe ai anglez tregojnë kujtimet e tyre.

Në atë kohë Rusia ishte në fillimet e kërkimit të rolit të saj të ri në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nuk mund të bënte më shumë. Ajo siguroi të ishte pjesë atje dhe ku do të merreshin vendimet e zgjidhjes. Pa e mohuar suksesin e madh të pavarësimit të Kosovës, duhet theksuar se është mundësuar një vatër e rrezikshme, siç është situata në Mitrovicën e veriut të shoqëruar me orekset serbe që nuk mbahen të fshehura. Po kështu insistoi Rusia dhe ngriti në Nish një qendër me tabelën për emergjencat civile dhe u pa qartë shpejt qëllimi i saj me stërvitjen e fundit, me pjesëmarrje të forcave ushtarake të Serbisë dhe desantëve rusë. Rusia bëri realisht një desantim ushtarak “provë” në zëmër të Ballkanit Perëndimor. Nuk mund të bëj një analizë të plotë të zhvillimeve në Ballkan, por vërtet ka një avancim të strategjisë ruse në këtë rajon. Pra, zhvillimet janë të tilla që nuk mund të justifikojnë as metodën e thirrjeve e as improvizime të çastit e të pa studiuara mirë. Rasti i Krimesë dhe krizës ukrainase nuk lë as mundësinë më të vogël të justifikimit.

Është e vërtetë që Rusia synon të rivalizojë e të ndajë fuqinë me SHBA, por kjo nuk do të thotë se ka një kontradiktë të izoluar Rusi-SHBA. Jo. Kontradikta reale është mes Rusisë dhe Perëndimit d.m.th SHBA plus BE. Këtu nuk mund të lejohen interpretime subjektive e të cunguara e as të intimidohen nga përpjekja e Rusisë se kontradiktën e ka me SHBA. Volker Vagener ka të drejtë kur pohon se në Moskë urrejnë SHBA dhe përbuzin BE. Gjermania dhe kancelarja Merkel tani është bërë pika e kontaktit funksionuese mes Rusisë dhe Perëndimit, ndoshta dhe për shkak të rolit aktual të Gjermanisë në vendimmarrjet e BE. Ka përpjekje nga Rusia që ta përdorë këtë moment për synime të tjera për të nxitur çarjet brenda BE e sidomos të motorit e bazamentit të BE të marrëdhënies Francë –Gjermani. Rusia e dëshiron shumë ta shohë BE të grindur e të përçarë në strategjinë e saj kundër perëndimit.

Zhvillimet më të fundit kanë bërë emergjente përgatitjen e një strategjie të plotë europiane në trajtimin dhe zgjidhjen e kontradiktës BE-Rusi. Madje duhet thënë se ka vonesë të dukshme në këtë drejtim. Masat e sigurisë së NATO-s janë të rëndësishme, por të pamjaftueshme e për më tepër nevojitet që të jenë pjesë integrale e strategjisë së plotë europiane. Europa duhet të ndalet e të analizojë mirë filozofinë e krijimit dhe funksionimit të BE, arritjet dhe problemet, për të marrë vendime të rëndësishme. Shumë vendime të rëndësishme në sendërtimin e filozofisë së bashkimit, janë marrë në kushtet kur Europa kishte tregues të lartë të zhvillimit ekonomik e social. Kjo rrethanë, mesa duket, ka mundësuar më shumë idealizëm sesa realizëm, më shumë dëshirë se sa mundësi, më shumë të sotme se sa të ardhme. Kjo shpjegon shumë vështirësitë e sotme në vendimmarrje të BE. Idealizmi europian është tashmë në provën e një ngarkese të plotë, kur ka zhvillime të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në fakt problemet janë kuptuar më parë teksa propozoheshin koncepte si ai i “Europës me dy shpejtësi” e të tjera si këto. Sot nuk është koha që secili të mbyllet e të shohë punët brenda shtëpisë së tij, siç nxitohet ndonjë të pohojë. Sot kërkohet të analizohen problemet e shtëpisë së përbashkët europiane. Ndryshe të gjithë do të jenë të humbur. Zhvillimet dhe prova e sotme nuk e kanë zhvlerësuar idenë e Europës së bashkuar, përkundrazi kërkojnë forcim të bashkimit dhe përballim të përbashkët të problemeve të sotme dhe të së ardhmes. Zhurmuesit anti BE janë thjesht disfatistë dhe pa vizion të qëndrueshëm e të qartë. Nuk duhet pranuar e lejuar asnjë prirje e tërheqjes së shteteve kombe në vetvete, një riciklim të nacionalizmave e skepticizmave të ndryshëm.

Sot është koha që Europa të merret seriozisht edhe me veten, por edhe të trajtojë drejt kontradiktën e lindur në marrëdhëniet me Rusinë. Ajo duhet të ketë një analizë e strategji të plotë të ngjarjes që zhvillohet sot, duke vlerësuar mirë edhe historinë. Ngjarjet në histori kanë ngjashmërinë si element thelbësor edhe pse nuk janë identike. Kështu, nëse i referohemi Luftës së Dytë Botërore, rezulton se lindja e nazizmit dhe fashizmit kishte dhe të domosdoshmen, por dhe rastësinë, të pamundshmen, por dhe të mundshmen për ti ndalur të lindnin. Dhe ngjarja historike është ajo që dihet. Dëmi i shkaktuar, sakrificat dhe pasojat ishin katastrofike.

Qëndrimi ndaj krizës ukrainase, sidomos sigurimi i një zgjidhjeje mbi principet e deklaruara aktualisht, pa bërë asnjë kompromis në dëm të Ukrainës së pavarur, është një provë me ngarkesë të plotë për BE në linjën e parandalimit. Është një provë e rëndësishme se si do të zgjidhë BE kontradiktën reale të saj me Rusinë.

Nuk mund të mendohet se Ukraina është larg vetes, se nuk preken vendet e BE nga strategjia e superfuqisë botërore të Rusisë. Përfshirja e Rusisë në Ukrainën lindore, siç ka deklaruar shefi i ri i NATO-s, ka kërcënuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë e të gjithë zonës euroatlantike. Nuk mund të lejohet sot gabimi i ish- liderëve europianë, të cilët menduan se duke e nxitur dhe shtyrë Hitlerin drejt BS, nuk do të prekeshin vendet e tyre. Dhe zhgënjimi nuk vonoi teksa panë që Hitleri pushtoi Francën dhe sulmoi për ta pushtuar Anglinë. Paralele e hidhur, por që është në vlerën e mësimit nga historia, se duhet reflektuar thellë për të parandaluar ngjarje të rënda dhe pasojat e tyre. Të njëjtën vlerë të mësimit ka dhe përvoja e luftës së ftohtë të kaluar. Sot po zhvillohet një ngjarje që përmban në vetvete një rrezikshmëri tepër të lartë, sepse, nëse Lufta e Dytë Botërore u zhvillua me armë konvencionale, sot janë në zotërim armët bërthamore, përdorimi i mundshëm i të cilave, nuk lë pas asnjë fitues.

Dikur është pohuar se një luftë e tretë botërore do të linte pas vetëm gërmadha në tym dhe kufoma në kalbëzim, apo do të linte vend vetëm për milingonat. Sot një luftë e çmendur bërthamore zhduk njerëzimin dhe tokën tonë. Nuk duhet lejuar asnjë vonesë për një reflektim të gjithanshëm dhe përgatitjen e strategjisë përballuese e fituese. Nevojitet sot, se nesër mund të jetë tepër vonë.
Në fakt nuk ka vend të bësh orakullin, por as për receta të fshehura diku, por filozofi gjerman Kant beson te arsyeja njerëzore, sepse atë që mëndja njerëzore mund ta mendojë, mund ta arrijë. Ky nuk është një arsyetim filozofik bosh, por një filozofi që të nxit të gjesh zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe me kosto më të vogël.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: