TIRANE-Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të saj janë të gatshme për të mbështetur Kuvendin dhe qeverinë e Kosovës, theksohet në një deklaratë të përbashkët të Zyrës së BE-së/PSBE dhe Shefave të Misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së të pranishme në Kosovë.

“Zyra e Bashkimit Evropian/PSBE dhe Shefat e Misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së, që janë të pranishme në Kosovë e mirëpresin konstituimin e Kuvendit dhe e urojnë kryeministrin Isa Mustafa për zgjedhjen e qeverisë së tij”, thuhet fillimisht në deklaratë.

Në deklaratën dërguar nga Zyra e BE-së theksohet: “Para Kosovës paraqiten shumë sfida, nga bërja e reformave politike dhe ekonomike, deri te bërja prioritet e zhvillimit socio-ekonomik dhe punësimit, nga ripërtrirja e përkushtimit ndaj dialogut me Beogradin, deri te vendosja e theksit në qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe rritje të përpjekjeve për luftimin e korrupsionit, bashkëpunim të plotë me EULEX-in dhe krijimin e gjykatës speciale.

Qytetarët e Kosovës, si dhe komuniteti ndërkombëtar, presin që institucionet e sapo formuara t’iu qasen këtyre sfidave me energji, përkushtim dhe vendosmëri. Të gjitha këto prioritete janë qenësore për zhvillimin e Kosovës dhe rrugën e saj evropiane. BE-ja dhe shtetet anëtare të saj janë të gatshme për të mbështetur Kuvendin dhe qeverinë në punën e tyre”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb