Tërheqja e të gjitha forcave ruse nga Ukraina do të ishte njëri nga kushtet kryesore për heqjen ose ndryshimin e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Moskës, tha të mërkurën një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Shtetet e Bashkimit Evropian i përtërinë dy kornizat e sanksioneve të bllokut ndaj Rusisë për gjashtë muaj shtesë në fund të janarit dhe më herët këtë muaj. Për çfarëdo ndryshimi në sanksione nevojitet pajtueshmëri e njëzëshme në mesin e 27 vendeve anëtare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Përfundimi i agresionit të paprovokuar e të pajustifikuar rus në Ukrainë dhe tërheqja e pakushtëzuar e të gjitha forcave ushtarake ruse nga tërë territori i Ukrainës do të ishte njëri nga parakushtet kryesore për amendamentimin ose heqjen e sanksioneve” – tha zëdhënësi evropian.
Shtetet e Bashkuara arritën marrëveshje të ndara të martën me Ukrainën dhe Rusinë për pezullimin e sulmeve të tyre në det dhe ndaj caqeve energjetike, ndërsa Uashingtoni u pajtua që të bënte shtytje për heqjen e disa sanksioneve kundër Moskës.
Rusia tha të martën se Shtetet e Bashkuara ishin pajtuar për ta ndihmuar në heqjen e një vargu sanksionesh dhe kufizimesh perëndimore ndaj ushqimit, plehrave dhe kompanive të transportit si parakusht për një marrëveshje të sigurisë detare në Detin e Zi.
Diplomatët i thanë agjencisë “Reuters” se shumica e kufizimeve të listuara nga Kremlini lidhen me sanksionet dhe kufizimet e vendosura nga Bashkimi Evropian
(Balkan Web)