Koordinatori i buxhetit në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, ka dalë me një deklaratë të fortë, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës për keqmenaxhim të buxhetit dhe shpërdorim të fondeve publike.
Sipas Telitit, akti normativ i buxhetit për vitin 2024, i miratuar pak ditë më parë, ka alokuar miliona euro për institucione dhe projekte të cilat, sipas tij, kanë shërbyer si “gropa thithëse” për fondet e taksapaguesve.
Teliti kujtoi vendimin e qeverisë për të financuar AlbControl-in me 20 milionë euro, pas ekzekutimit të një vendimi gjyqësor ndërkombëtar në favor të biznesmenit Francesco Becchetti. “Të gjithë mbajmë mend deklaratat e qeverisë se asnjë qindarkë nuk do të shkojë te Becchetti. Sot ndodh e kundërta,” deklaroi ai.
Gjithashtu, ai theksoi se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka marrë 25 milionë euro shtesë për projekte që, sipas Telitit, janë të pakonkurrueshme dhe shpesh të denoncuara.
Teliti akuzoi qeverinë për shpenzime të ekzagjeruara në ndërtimin e rrugëve, të cilat, sipas tij, kushtojnë disa herë më shumë se në vendet e zhvilluara. Ai paralajmëroi se këto fonde do të përdoren për fushatë elektorale.
Ndërkohë, Teliti theksoi se fondet për sektorët jetikë janë reduktuar ndjeshëm: Teliti akuzoi qeverinë se, pavarësisht këtyre shkurtimeve, shpenzimet për luksin qeveritar nuk janë prekur.