Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka zbutur tonet ndaj shqiptarëve, duke iu bërë thirrje për pajtim, si dhe duke dalë kundër ndarjes së kufijve në Ballkan në linja etnike.


“Serbia mbështet pajtimin me shqiptarët, por nga ana tjetër, ajo nuk ka bashkëbisedues”, tha Brnabiç. Deklaratat e Brnabiç-it u bënë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev.


“Ne nuk po mundohemi të krijojmë kufij etnikisht të pastër, e kundërta. Aleksandar Vuçiç, kur ishte në krye të qeverisë, e ngriti çështjen e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve. Ky është një moment historik dhe një shans i hapur,” tha ajo.


Brnabiç paralajmëroi se mos arritja e një marrëveshjeje do të sjellë një çmim të lartë për të paguar nga të dy palët.

Në të njëjtën linjë ishte dhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, i cili tha se ka ardhur koha për të arritur një pajtim historik midis serbëve dhe shqiptarëve.

“Maqedonasit dhe grekët janë pajtuar, bullgarët dhe ne jemi pajtuar. Të tjerët duhet ta bëjnë këtë. Ne jemi europianë dhe duhet ta dëshmojmë këtë”, tha Zaev.

Ai theksoi se udhëheqësve duhet t’u jepet një shans për të gjetur një zgjidhje, pasi ajo do të jetë jo vetëm për të mirën e vendeve të tyre, por edhe të gjithë rajonit. Dy kryeministrat morën pjesë në inaugurimin e vendkalimit të integruar kufitar Preshevë – Tabanovc.

Etiketa: