Vllaznia do të rikthehet të luajë ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2025 në shtëpinë e saj. Shkodranët do të presin Tiranën, ditën e premte në orën 17:00, me Klasiken që gjithmonë është e gatshme për të dhuruar emocione për tifozët.bekim balajPërballë vijnë dy skuadra me humore të ndryshme. Me kuqeblutë në “luftë” për vendet e para dhe kryeqytetasit që si rrallë herë “vuajnë” në zonën e “ftohtë”. Te Vllaznia, gjithsesi duket se nuk e nënvlerësojnë aspak kundërshtarin e radhës. Duke i vlerësuar në maksimum bardheblutë edhe për vetë historinë dhe atë çfarë përfaqësojnë në futbollin tonë. Synimi i kuqebluve ngelet fitorja dhe nisja e vitit me 3 pikë përballë tifozërisë shkodrane.
E për këtë sytë shkojnë te Bekim Balaj. Sulmuesi kryesor i skuadrës mungon në takimin me golin në Superiore prej 7 ndeshjesh radhazi. Duke pasur kështu 630 minuta pa gjetur rrugën e rrjetës në elitën e futbollit tonë. Një statistikë që patjetër nuk i shkon edhe aq për “shtat” një sulmuesi kalibri siç është 33-vjeçari. Që duhet theksuar se pavarësisht mungesës së golit, kontributi i tij në skuadër mbetet i jashtëzakonshëm.
NDEZJA – Duket se ndeshjet ndaj Tiranës e “ndezin” ish-sulmuesin e kombëtares shqiptare. Kjo, pasi bardheblutë që prej rikthimit të tij në kampionatin shqiptar në janar e vitit 2023 janë shndërruar në “prenë” e preferuar të shtatlartit. Që nga ajo periudhë, Balaj ka zhvilluar 8 ndeshje si titullar kundër Tiranës, duke i shënuar 7 herë bardhebluve e duke u shndërruar kështu në një “makth” të rekordmenëve të futbollit tonë.
Madje, ish-sulmuesi, edhe i Tiranës, në të shkuarën i ka shënuar 4 herë bardhebluve në sezonin 2024-25. Kjo në barazimin 2-2 mes dy skuadrave në ndeshjen e fazës së parë dhe po ashtu një dopietë në fitoren 3-4 të Vllaznisë në fazën e dytë të kampionatit. Ku nga 8 golat që ka shënuar deri në këto momente në kampionat, 4 prej tyre shkodrani ia ka shënuar kryeqytetasve. Patjetër te Vllaznia fillimisht do të kërkojnë fitoren e më pas edhe zhbllokimin e sulmuesit dhe kapitenit të ekipit. Që nga statistikat duket se premton për gol në ndeshjet klasike kundër Tiranës.