Fredi Beleri, tashmë eurodeputet i Greqisë, ka denoncuar në Bruksel idenë e Shtetit Bektashi, duke thënë se kjo ide mund të jetë në shkelje me marrëveshjet që Shqipëria duhet të arrijë, për integrimin në Bashkimin Europian.
Mediat greke shkruajnë se Beleri i është drejtuar Komisionit Europian, duke pyetur nëse krijimi i këtij shteti “po shkel marrëveshjet e rëna dakord për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE, ku ndër të tjera duhet që të sigurohet bashkëjetesa paqësore e të gjitha komuniteteve fetare”.
Një pyetje iu drejtua Komisionit Europian nga eurodeputeti i Partisë Popullore Europiane dhe Demokracia e Re, anëtar i Delegacionit të Parlamentit Europian për Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, Fredi Beleri, me rastin e planeve të Shqipërisë për krijimin e një shteti sovran, fetar mysliman në Tiranë, të cilin kryeministri i vendit, Edi Rama, e shpalli të dielën (22.09) nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Beleri nënvizon në pyetjen e tij se “shteti autonom dhe i pavarur do të quhet “Shteti Sovran i Urdhrit Bektasi”, duke shtuar se “do të ketë dokumentet e veta diplomatike, kufijtë, por edhe një strukturë administrative më vete”.
Në vijim, eurodeputeti i PPE dhe ND pyet Komisionin nëse krijimi i këtij shteti shkel kushtet e dakorduara për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe veprimet diplomatike që do të ndërmarrë Komisioni, për të siguruar bashkëjetesën paqësore të të gjitha komuniteteve fetare në vendin fqinj.
Ja teksti i plotë i pyetjes:
Planet e Shqipërisë për krijimin e një shteti sovran fetar mysliman në Tiranë u njoftuan të dielën më 22.09.2024 nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Sipas asaj që është bërë e ditur deri më tani, shteti autonom dhe i pavarur do të quhet “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, ndërsa do të ketë dokumentet e veta diplomatike, kufijtë dhe një strukturë administrative më vete. Në shtetin e ri (brenda shtetit shqiptar) do të natyralizohen vetëm myslimanët shiitë, anëtarë të komunitetit fetar sufi.
Komisionit i kërkohet:
1) Cili është qëndrimi i Komisionit për këtë shtet potencialisht të sapoformuar dhe nëse krijimi i tij shkel kushtet e dakorduara për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë? Nëse po, çfarë kriteresh shtesë mund të vendosen?
2) A është krijimi i një shteti të tillë në përputhje me kriteret politike të Kopenhagës që duhet të përmbushë çdo vend për funksionimin e institucioneve që sigurojnë demokracinë, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave?
3) Çfarë lëvizjesh diplomatike synon të bëjë Komisioni për të siguruar bashkëjetesën paqësore të të gjitha komuniteteve fetare në Shqipëri?