*Prokuroria kërkesë të dytë në Parlament për arrestimin e Frrokut

(Në përditësim) Shteti belg ka kërkuar zyrtarisht arrestimin e deputetit Mark Frroku. Kërkesa e autoriteteve belge ka ardhur në Interpol Tirana dhe më pas i është dërguar Prokurorisë së Përgjithshme. Tashmë Prokuroria do ta paraqesë kërkesën në Gjykatën e Lartë për të vërtetuar rrezikshmërinë e Frrokut, i cili akuzohet në Belgjikë për ‘vrasje me paramendim’. Gjithashtu sipas autoriteteve belge, ai ka qenë pjesë e një rrjeti prostitucioni. Pas kërkesës zyrtare të mbërritur tashmë në Prokurori për arrestimin e Frrokut nga Belgjika, organi i akuzës do ti kërkojë Parlamentit autorizimin për arrestimin e tij për herë të dytë. Kjo pasi është një akuzë e re dhe duhet të ketë procedurë të veçantë formale.

Një ditë më parë, në urdhër-­ndalimin e deputetit Frroku, firmosur nga kryeprokurori Adriatik Llalla theksohej se “Frroku akuzohej edhe nga drejtësia belge për vrasje”, por kjo referencë u hodh poshtë nga avokatët e tij.

Ndërkohe sot “Panorama” ka publikuar dokumentin me të cilin Policia e Tiranës i bënte kërkesë Interpolit më 23 mars për informacion nëse Frroku ishte i kërkuar në shtetin belg për llogari të drejtësisë së atij vendi.

Në shkresën me numër protokolli 1646, Policia e Tiranës ofron një informacion dhe kërkon konfirmimin nga Zyra Qendrore Interpol Tirana, nëse shtetasit Arben dhe Mark Frroku janë apo jo të shpallur në kërkim nga Belgjika. “Shtetasit Arben dhe Mark Frroku, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, me shtetësi e kombësi shqiptare, kanë jetuar në Belgjikë gjatë viteve 1995–1996 dhe u janë prezantuar autoriteteve belge si shtetas kosovarë me emrat Liman Krasniqi (Arben Frroku) dhe Azem Krasniqi (Mark Frroku). Gjatë kësaj periudhe, këta shtetas dyshohet të kenë kryer një vrasje në Bruksel dhe janë shpallur në kërkim nga autoritetet belge me emrat Liman Krasniqi dhe Azem Krasniqi. Ju lutemi të konfirmoni nga ana juaj nëse këta shtetas janë të shpallur në kërkim nga autoritetet belge. Bashkëlidhur ju dërgojmë certifikatat personale të këtyre shtetasve për procedurë dhe kompetencë”, thuhet në shkresë.

Pas kësaj ka ardhur edhe përgjigjja nga autoritetet belge, ku kërkohet arrestimi i Frrokut.

Mediat belge shkruanin një vit më parë se Mark Frroku ishte i dënuar në Belgjikë për vrasjen e një shqiptari. Deputeti shqiptar rezultonte i dënuar në Belgjikë për vrasje me 10 vite burg. Vendimi ishte dhënë në mungesë nga Gjykata e Apelit të Brukselit në vitin 2010. Frroku do të rigjykohej në muajin shkurt nga Gjykata Penale e Nivelles, pasi ai fitoi lirinë para se çështja ndaj tij të shkonte në Gjykatë. Lajmi është publikuar më 10 janar të vitit 2014, në një portal lajmesh online në Belgjikë, “NordEclair.Be”. Ndërsa pas publikimit të këtij lajmi, deputeti Frroku reagoi duke e quajtur të sajuar. Ai i hodhi poshtë akuzat, duke e cilësuar ngjarjen me prapavijë politike. Sipas tij, nuk ka asnjë precedent penal në asnjë vend të botës. Nëse do të kisha qoftë edhe problemin më të vogël me drejtësinë, nuk do të kisha marrë nënshtetësinë amerikane”, shprehej Frroku.

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: