BELGJIKË- Operacion kundër terrorizmit në qytetin Verviers të Belgjikës. Raportohet se dy persona janë vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur, në një operacion blitz të policisë kundër një grupi xhihadist.


Mësohet se grupi xhihadist kishte lidhje me Amedy Coulibaly, terroristi që mori peng disa persona në një supermarket në Paris. Ky grup dyshohet se ishte duke përgatitur një sulm në Bruksel.



Lajmi bëhet i ditur nga britanikja ‘Mirror’, sipas së cilës policë të armatosur kanë hyrë në një banesë në qytetin Verviers për të lokalizuar një grup terroristësh. Operacioni u zhvillua nga forcat speciale të policisë në rrugën “Colline” në një ish-furrë buke, në zonën e stacionit në Vervies, kundër tre personave nën mbikëqyrje dhe të sapokthyer nga Siria.

Banorët në vendngjarje deklarojnë se kanë dëgjuar shpërthime masive gjatë rrethimit të banesës. “Pati një shpërthim, pastaj dëgjuam të shtëna armësh”, kështu shprehet një dëshmitar.

Ndërkaq policia belge ka rritur nivelin e vigjilencës kundër terrorizmit nga 3 në 4, sipas burimeve të prokurorisë, që pas kthimit të një grupi njerëzish nga Siria, të dyshuar se do të kryenin atentate në Belgjikë.

Ndërsa në Bruksel, njësia e policisë federale është vënë në lëvizje për shkak të një alarmi për bombë.

Pas kontrollit në një pallat në Anderlecht, një lagje në jug të Brukselit, policia gjeti lëndën eksplozive, por ende nuk ka ndonjë të dyshuar, sipas mediave vendase.


(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb