BELGJIKE – Një roje sigurie në një central bërthamor belg është vrarë gjatë natës së të enjtes në Charleroi, afër Brukselit. Fillimisht u ngritën dyshime se vrasja e tij mund të kishte lidhje me terrorizmin, pasi policia nuk po gjente kartën që mundësonte hapjen e dyerve të centralit. Por pak orë më vonë autoritetet konfirmuan se vrasja nuk kishte asnjë lidhje me ISIS dhe karta e rojes u gjet.

Dihet tashmë që centralet bërthamore ishin survejuar nga terroristët dhe kanë qenë shënjestër e sulmeve të mundshme. Ata kishin përgjuar biseda telefonike dhe dyshohet se brenda centralit mund të kenë patur bashkëpunëtorë.

Ndërkohë mediat greke shkruajnë se si është gjetur harta e aeroportit të Brukselit në një kompjuter të marrë në apartamentin në Athinë ku ka jetuar Abdelhamid Abaaoud, një prej autorëve të masakrës së Parisit.

Autoritetet greke, gjithmonë sipas mediave lokale, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për sa i përket bashkëpunimit me kolegët belgë. Shkëmbimi i informacioneve mes Athinës dhe Brukseli po bëhet në mënyrë problematike.

Ndërkohë alarmi në Belgjikë mbetet shumë i lartë. Në 2 video, ISIS ka festuar sërish atentatet e Brukselit dhe ka bërë kërcënime të tjera duke ofruar një armëpushim në shkëmbim të ndalimit të sulmeve ajrore.

TERRORISTI I TRETË I SULMEVE ËSHTË GAZETAR
Gazeta belge “Le Soir” shkruan sot se personi i tretë i shfaqur në fotografi i veshur me të bardha dhe me kapele të zezë është Faysal Cheffou, i arrestuar që ditën e enjte, me profesion gazetar.

Sipas gazetës belge, ky person i cili është shfaqur në foto përpara sulmit në aeroport është identifikuar nga një taksist. Në foto ky person është pranë dy atentatorëve të cilët kryen shpërthimin në aeroport më 22 mars. Ndërkohë raportohet se aeroporti ndërkombëtar “Zavendem” i Brukselit nuk do të rihapet përpara 29 marsit. Aeroporti, përmes një deklarate të postuar në faqen e tij në internet, ka thënë se do të zbatojë masa të reja sigurie, pas sulmeve me bomba të së martës në ambientet e aeroportit dhe në një stacion të metrosë në Bruksel.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: