Gazetari Ben Andoni i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” foli për situatën aktuale politike në Kosovë, teksa vendi do të shkojë tashmë në zgjedhje.

Andoni shprehet se Vetëvendosje për herë të parë mund të vijë në pushtet dhe i duhet ta bëjë këtë gjë, për të mirën e Kosovës.

“Vetëvendosje ka një problem. Kjo sepse VV nuk pranon simbolet e Kosovës. Vetëvendosjes i duhet që të vijë në pushtet për herë të parë. Lëvizja Vetëvendosje duhet ta pranojë kompromisin, të pranojë bashkëpunimin me LDK. Kjo sepse ata mund të marrin kreun e Kuvendit. Duke ditur se më 2021 ka zgjedhje në Kosovë, ata më vonë mund të marrin edhe presidentit. Qoftë LDK, qoftë Vetëvendosje, kanë njerëz të zgjuar, intelektualë, që japin realisht zgjidhje. Në 6 legjislatura në Kosovë nuk është bërë punë kushedi, ndonjë ndryshim. Në rast se koalicioni mbahet, VV duhet të tërhiqet disi nga taks mbi Serbinë. VV për herë të parë duhet t’i largohet sloganeve dhe do i afrohet pushtetit. Isa Mustafa është treguar i mençur. Vetëvendosje duhet të tregojë në zyrë se çfarë mund të bëjë”, tha Andoni.

Ai shtoi se zgjedhja e Vjosa Osmanit nga LDK si kandidate për kryeministre është një zgjedhje e zgjuar e Isa Mustafës.

“Vjosa Osmani është një zgjedhje e zgjuar e Isa Mustafës. Më herët, LDK kishte zgjedhur Avdullah Hotin, edhe ai një figurë e mirë. Osmani është një femër dhe është gjë pozitive që kemi një kandidate për kryeministre, pra një femër, kur dihet se shoqëria në Kosovë është në tërësi maskiliste. Në Kosovë në përgjithësi, politika atje vepron për numra dhe jo për programe. Ndërsa, Vjosa Osmani është një kandidate me program”, deklaroi Andoni.

Duke komentuar figurën e Ramush Haradinaj dhe mandatin e tij qeverisës, Andoni theksoi se në tërësi Haradinaj ka pasur një mandat të dobët.

“Ramush Haradinaj qeverisi edhe me nepotizëm. Ai bashkëpunoi me AKK, ku kishte njerëz që punonin për interesa dhe jo për Kosovën. Ka qenë ndër mandatet më të dobëta. Haradinaj nuk u paraqit ai kryeministër që pritej. E dini se Haradinaj erdhi me premtime se do i kthente tokë Kosovës, por nuk arriti gjë. Ai foli për administratë më të mirë, por ai e prishi gjithmonë e më shumë. Haradinaj veproi edhe në momente kur ai nuk ishte më kryeministër i vendit. Z.Haradinaj vetë dhe të gjithë kolegët e tij kanë pasur mundësi që të bënin gjykata në Kosovë, që gjykimi të mos bëhej në Hagë, por në Kosovë. Kjo gjykatë ia rëndon situatën Kosovës”, u shpreh Andoni.

Për Ben Andonin, presidenti Hashim Thaçi është figura politike më e mbrojtur nga ndërkombëtarët, kurse shtoi se fuqia e tij sa vjen e bie.

“Thaçi është njeriu që ka mbështetje të madhe ndërkombëtare në Kosovë. Por duhet thënë se fuqia e Thaçit ka për t’u zbehur, sepse po zbehet fuqia e njerëzve të luftës. VV dhe LDK po tentojnë ta dërgojnë në status tjetër. Nëse LDK dhe VV e realizojnë, Kosova do tregojë se është shtet që del nga mbikëqyrja ndërkombëtare. Ka ardhur koha që Kosova të flasë si shtet real. Kosova kalon në fazë tjetër”, tha ndër të tjera gazetari Andoni.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb