Nga BEN BLUSHI


 


Duke parë ‘Publicus’ e kuptova pse është ndaluar të transmetohet: sepse dëshmon se si shteti i thërret fëmijët për të mbledhur mbetjet tona dhe nuk i mbron më pasi vdesin për shkak të punës. Kjo mizori është rrënqethëse.


 

Ardit Gjoklaj ka humbur jetën duke punuar në një territor publik që administrohet nga një kompani private me lejen e shtetit. Për turpin e vet shteti thotë që jo vetëm nuk ka parë Arditin të vdesë por nuk ka parë edhe emisionin që është bërë për vdekjen e tij. Nëse Tirana është qyteti i rilindur që pretendohet se është, në Sharrë do kishte patur ndriçim të detyrueshëm dhe Arditi nuk do ishte shtypur në errësirë nga eskavatori që mblidhte plehra.

 

 

ardit gjoklaj

 

Nëse reforma e sigurimeve shoqerore do kishte funksionuar, Ardit Gjoklaj do kishte kontratë sigurimi dhe familja e tij duhej të dëmshpërblehej nga kompania. Nëse martesa e plehrave mes Rilindjes dhe PD nuk do ishte celebruar në fushën e Sharrës atëherë nuk do ishte e njëjta kompani ajo që mblidhte mbetjet.
Nëse industria e riciklimit, për shkak të presionit të shtetit, do shtonte kostot e detyrueshme, atëherë në Sharrë do kishte ndriçim dhe Arditi do ishte i siguruar.

 

Nëse bashkia do i shiste mbetjet tona me vlerën e tregut atëherë do kishim paratë e mjaftueshme për të ndarë mbetjet në burim, në mënyrë që Arditi të mos vdiste duke i ndarë në errësirën e Sharrës dhe kazanet e Rilindjes të mos e lejonin importin.

 

Nëse qeveria nuk do ishte me industrinë por me Arditin natyrisht që Sharra do ishte një vend pune dhe jo një varrezë, plehrat do ishin mbetje dhe jo ndotje dhe ‘Publicus’ do ishte transmetuar dhe Alida Tota nuk do ishte pushuar nga puna.

Nëse mediat nuk do ngopeshin në kazanin e qeverisë atëherë në ekran nuk do dilnin vetëm të pasurit që blejnë mbetje por edhe të varfërit që vriten duke i mbledhur.

 

Shikojeni Publicus. Nuk dëshmon vetëm një vrasje në punë por më shumë se kaq: se si shteti tradhëton përdite ata që s’kanë dhe si i shërben çdo natë atyre që kanë.

 

Ja pse shteti po e trajton Arditin si armik publicus!
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb