NGA ERMAL TELHA*

Kjo është një shprehje që ne e hasim gjerësisht në të përditshmen tonë për të interpretuar situata ku individë të caktuar ndryshe propagandojnë e ndryshe veprojnë. Në Shqipërinë tonë shpesh ndeshemi me politikanë apo ligjvënës të cilëve u shkon përshtat më së shumti ky përcaktim.

“Bombardohemi” çdo ditë me teza moraliste të luftës kundër korrupsionit, informalitetit, krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike, e si përfundim na serviret korrupsion i shtuar, mosrealizime të ardhurash nga tatimet e doganat, afera korruptive marramendëse qindra miliona euroshe, sasi lëndësh narkotike masive të kapura brenda dhe jashtë kufijve tanë, e ç’është më e rëndësishmja, statistika gjithnjë e në rritje të papunësisë, varfërisë dhe represionit të ushtruar mbi qytetarët e thjeshtë.

Parlamentarizmi dhe përfaqësimi publik janë në krizë të thellë identitare. Pas 25 vitesh pluralizëm, me ndërhyrjen dhe vullnetin e paepur të ndërkombëtarëve, Parlamentit dhe administratës i nevojitet të dekriminalizohet. Këto janë hapa mbrapa, që dëshmojnë keqadministrim të shtetit shqiptar, ku janë rrënjosur damarët e fortë të komunizmit dhe padrejtësive që nuk po lejojnë frymëmarrje të pastër për ne. Merremi gjithë kohën me pasojën e jo me shkakun. Përshëndesim nismën për dekriminalizim dhe nuk arrijmë të evidentojmë dhe të veshim me përgjegjësi kriminalizuesit, pikërisht ata që mbajnë autorësinë e gjithë kësaj katrahure.

Është fatale që çdo përfaqësues i Parlamentit dënon aktet barbare, kriminale, çnjerëzore e vrastare të komunizmit dhe kur serviret një nismë për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare nga dy ish studentë të dhjetorit 1990, nuk e votojnë.

Atëherë për çfarë flasim?! Që në 25 vjet  nuk e kemi pastruar dot sadopak farën e keqe që mbolli ai sistem?! Apo më keq akoma, që një pjesë të tyre i kemi akoma në nivelet më të larta drejtuese?!

Dekorohen xhelatët e komunizmit, pikërisht në kulmin e “antikomunizmit” të shprehur vetëm me fjalë ndërkohë që forca reale e veprimit nëpërmjet kartonit në parlament venitet, ekzaktësisht kur duhet të jetë më potente dhe agresive se kurrë. Gjakpirësit e shqiptarëve në diktaturë, prej vitesh të tëra përfitojnë financiarisht pagesa të konsiderueshme nga taksat e pasardhësve të të persekutuarve. Kjo është tragjike.

Ndërsa flasin pa reshtur, kur kanë mundësinë të ushtrojnë fuqinë e përfaqësimit të vullnetit të mijëra shqiptarëve, refuzojnë të mbështesin nismën e kolegëve të tyre deputetë.

Dekomunistizimi, po aq sa dekriminalizimi, vijnë sot si emergjencë kombëtare në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm social, ekonomik, kulturor për vendin tonë. Reduktimi i farës së keqe që ka mbjellë ai sistem i shërben çdo qytetari të lirë, për tu ndjerë i vlerësuar të paktën tani 25 pas kapitullimit të atij regjimi dashakeqës. Nuk mund dhe nuk duhet të vazhdohet më me privilegjimin e persekutorëve të atij sistemi famëkeq, që ka mbjelle terror pa kufi e që vazhdon të favorizohet akoma.

At Zef Pllumi dhe të gjithë vuajtësit e tjerë të komunizmit, u vranë përsëri me dekorimin e xhelatit të tyre tani së fundmi. Për këtë situatë pati vetëm akuza dhe kundërakuza procedurale të cilat nuk e ndryshuan thelbin e problemit. E pikërisht ky thelb nuk është aq sipërfaqësor sa duket e interpretohet, por është i rrënjosur thelle në formimin e shumë pasardhësve të komunizmit.

Do ishte mirë që dekomunistizimi të shndërrohej në shtysë për një aksion të gjerë social e politik sepse nevoja për pastrimin e shoqërisë nga mbetje të tilla po shtohet dita ditës. Nismat ligjore e jo vetëm, duhet të gëzojnë mbështetje të çdo hallke institucionale së pari, e sigurisht mbështetje nga opinion i gjerë publik, në mënyrë që mos ngelemi vetëm në kontekstin e fjalëve, por të shkojmë në të njëjtin drejtim edhe me veprimet konkrete.

Shprehja e popullit “Bëni siç themi ne, mos bëni siç bëjmë ne” nuk duhet të gjejë kurrsesi fushë veprimi në Parlamentin shqiptar. Aty duhet të burojë frymëzimi për punë të mira që i japin “shëndet” shoqërisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: