Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha të mërkurën se drejtorit të saj, Petar Petkoviq, i është ndaluar vizita në Kosovë për “të qenë pranë serbëve për Vidovdan”.

“Që një vit e gjysmë, Petkoviqit është duke iu ndaluar dhëtimi në Kosovë dhe kremtimi i festave më të mëdha me serbët në provincë dhe mbështetja e tyre për shkak të ndalesave të jashtëligjshme nga Prishtina”, tha Zyra serbe në një njoftim.

Ajo tha se vizita e tij u paralajmërua në “përputhje me të gjitha marrëveshjet e vlefshme për lëvizje të lirë” dhe se qëllimi i vizitës ishte kryekëput “i natyrës fetare”, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “e ndaloi vizitën dhe kështu i shkeli të gjitha arritjet e bisedimeve në Bruksel”.

Autoritetet në Kosovë, deri më tash, nuk kanë dhanë ndonjë njoftim.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan – rreth 10 kilometra larg Prishtinës.

Në vitet e kaluara ka pasur edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

Zyra serbe e akuzoi Kurtin se me ndalimin e Petkoviqit “deshi të tregonte se nuk është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve”, në ditën kur ai dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ndodhen në Bruksel për një takim të ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Vidovdani është gjithashtu një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: