Ka nisur dëshminë në komisionin hetimor parlamentar të Sterilizimit ish- ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Deklarata e cila do të jepet prej tij në nisje të dëshmisë ka nxitur debate në komision duke përplasur kryetaren e komisionit Albana Voshi dhe nënkryetari Plarent Ndreca.
Vokshi u shpreh se kërkesa e Beqajt për një deklaratë kontekstuale ndryshe nuk është e drejtë pasi ai është njëlloj si dëshmitarët e tjerë, madje shtoi se konferencat me powerpoint, Beqaj duhet t’i bëjë gjykatë.
Ndreca iu përgjigj se me çdo kufizim që po i bëhet, po shkelet e drejta e ish-ministrit Beqaj dhe po i dhunohet e drejta, çka tensionoi edhe më tej bisedën, ku Vokshi iu drejtua me fjalët: “Ti je në konflikt interesi, nuk duhet të jesh fare këtu”.
Pjesë nga diskutimet:
Beqaj: Dua të parashtroj dy kërkesa. Në statusin juridik që kam, është që gjykata mund t’ju japë një kornizë të
asaj që mund të them, që mos të më përdoret kundër meje nesër në proceset penale.
Vokshi: Kemi ndjekur procedurat për të marrë leje për dëshminë. Kushtetuesja ka përcaktuar se hetimi parlamentar nuk ka asnjë mbivendosje ndaj një hetimi penal. Duke ju siguruar që kemi ndërmarrë hapat e duhura me konsensusin e plotë të anëtarëve do ju ftoja të vijojmë me deklaratën mbi objektin e dëshmisë.
Ndreca: Ne nuk kemi kufizim nga dokumentacioni i ardhur nga SPAK.
Beqaj: E dyta, në vijim të asaj që kam mundur të ndjek nga komisioni dje, nga deputetët inicues është thënë për të informuar publiku. Ndaj dua të them për publikun me zë e figurë e shifra.
Vokshi: Ne si komision respektojmë të gjitha të drejtat për një deklaratë të konstetualizuar paraprake.
Ndreca: Jemi njohur me një komunikim të kryetares me avokatin, jo në emër të komisionit.
Vokshi: Nuk kam nevojë të marr leje nga komisioni. Jam këtu për të garantuar zbatimin e ligjit.
Ndreca: Kur lihet në emër të komisionit… kërkesa e bërë nga Beqaj nëpërmjet komisionit është legjitime.
Vokshi: Konferencë me powerpoint le ta bëjë në gjykatë, jo këtu.
Ndreca: Vullneti yt personal nuk mund t’i mbivendoset komisionit
Vokshi: Beqaj nuk është më i mirë se dëshmitarët e tjerë.
Ndreca: Ka të drejtë të bëjë deklaratën e tij siç e mendon ai. Kontekstualitetin e deklaratës e përcakton dëshmitari. Nëse i heqim këtë të drejtë… duhet të dëgjojmë me durim çdo gjë që Beqaj mendon se duhet t’i thotë komisionit. Çdo kufizim është dhunim i të drejtave të dëshmitarëve.
Vokshi: Ju jeni në konflikt interesi nuk duhet të jeni fare këtu.
Kujtojmë se prokuroria e akuzon atë për “shpërdorim të detyrës” në lidhje me një kontratë 10-vjeçare për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.
Hetimet për këtë çështje u mbyllën më 18 mars të këtij viti dhe u ngrit aktakuzë ndaj tetë personave të tjerë, përfshirë edhe ndaj zëvendësministrit, Klodian Rjepaj, dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Këta dy të fundit ndodhen në paraburgim.
SPAK-u i akuzon ata për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.
(BalkanWeb)