SHKODËR- Kontrolli Mjekësor Bazë falas për grupmoshat 40-65 vjeç mbërrin në çdo cep të vendit. Këtë fakt e ka bërë të ditur vetë Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili prezantoi për herë të parë njësitë e lëvizshme të këtij programi të kontrollit mjekësor gjatë një vizite në Dedaj, të komunën Shkrel të Shkodrës. Beqaj shoqërohej nga deputeti i PS-së për zonën e Malësisë së Madhe.

Këto njësi të lëvizshme, sipas një kalendari të caktuar, do të mbulojnë të gjitha fshatrat që i kanë larg vendbanimet nga qendrat shëndetësore, dhe më pas të gjithë qarkun e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërinë.

“Ne jemi angazhuar t’ua ofrojmë shërbimin shëndetësor të gjithë njerëzve të kësaj grupmoshe që jetojnë në Shqipëri,” u shpreh Beqaj, duke shtuar se “ky është hapi i parë drejt mbulimit shëndetësor universal, por jemi të vetëdijshëm që nëse ua ofrojmë këtë të drejtë çdo qytetari, edhe banorëve të Shkrelit, por distanca e vendbanimit nga qendrat shëndetësore është e tillë që nuk është e afërt, na duhet të ofrojmë edhe njësitë e lëvizshme”.

Ky është dhe një hap tjetër jo vetëm drejt Aksesit Universal, por edhe drejt Cilësisë Universale, tha më tej Ministri Beqaj, “pasi siç mund të shihet, në këtë njësi të lëvizshme këtu, ofrohet çdo gjë që ofrohet në njësinë e check-up edhe në Tiranë, edhe në Shkodër”.

Ne po përpiqemi që edhe banorët këtu, të kenë mundësi ta kontrollojnë shëndetin e tyre të paktën një herë në vit dhe po përpiqemi ta spostojmë vëmendjen tek shërbimi parësor shëndetësor dhe ta spostojmë vëmendjen te shëndeti. Njerëzit që vijnë tashmë këtu nuk janë më pacientë por janë thjesht qytetarë, pasi sigurisht që shkenca dhe statistikat kanë treguar që pas moshës 40 vjeç fillojnë dhe shfaqen sëmundje, sidomos ato kardiovaskulare, të cilat nëse i zbulojmë hershëm, i trajtojmë me shumë më tepër efikasitet, u shpreh kreu i shëndetësisë në vend.

Ndërkaq, Sterkaj, duke falënderuar ministrin e shëndetësisë për përzgjedhjen, siç u shpreh ai, të Dedajt, fshatit të tij të lindjes për prezantimin e këtyre njësive të lëvizshme të kontrollit bazë mjekësor, ju bëri thirrje banorëve të komunës së Shkrelit dhe atyre të Malësisë së Madhe që t’i drejtohen këtyre qendrave shëndetësore të lëvizshme dhe qendrave të tjera shëndetësore për të kryer check-up-in, pasi do ta kemi më të lehtë, duke bërë profilaksi, që gjithsecili që ka nevojë më pas të drejtohet te specialisti përkatës.

Pajisje të reja mjekësore në Qendrat Shëndetësore Razëm dhe Theth
Banorët e Razmës dhe Thethit në zonën malore të Alpeve, por edhe turistët që vizitojnë këto treva, do të kenë mundësi të përfitojnë tashmë një shërbim cilësor shëndetësor të standardeve të larta. Një investim i projektit të kompanisë së telefonisë së lëvizshme AMC dhe Zyrës GIZ së koordinimit të projektit gjerman të ndihmës teknike ndërkombëtare për të modernizuar ambulancat në Alpet e Shqipërisë, pajisi me mjete moderne shëndetësore dhe komunikimi qendrat shëndetësore të këtyre zonave të mirënjohura të turizmit malor në vend.

Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës që ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar nga deputeti i zonës, Paulin Sterkaj, zhvilloi të shtunën në qendrat shëndetësore të Razmës dhe Thethit. Të dyja këto zona turistike kanë pasur nevojë për një qendër shëndetësore moderne dhe me pajisje të mira, pasi gjatë gjithë vitit këtu ka vizitorë dhe fluksi i turistëve është gjithnjë e në rritje, kështu që seti i pajisjeve moderne mjekësore të mundësuara nga ky projekt përmban të gjitha mjetet e nevojshme që duhet të ketë një Ambulancë e tillë, pas atyre që u siguruan edhe për ambulancën e Valbonës. Gjithashtu, ky investim mundësoi edhe vendosjen e një kompjuteri, lidhjen e qëndrueshme të shërbimit të Internetit dhe kamerën, me të cilat punonjësit e ambulancës mund të komunikojnë me Spitalet Rajonale të Shkodrës dhe Tiranës.

“Unë besoj se ky është drejtmi i duhur për të zhvilluar turizmin për t’i dhënë mundësi të gjithë bukurive që Zoti i ka falur Razmës dhe gjithë Malësisë së Madhe për t’i shfrytëzuar në përfitim të drejtpërdrejtë për komunitetet që jetojnë këtu,” u shpreh Ministri Beqaj.

“Në mbështetje të sezonit turistik veror, duke qenë se Razma ka potenciale të mëdha dhe realitete të zhvillimit të turizmit, tha më tej Beqaj, edhe qendra shëndetësore e Razmës është përfshirë në një listë me 22 qendra shëndetësore ku ne do të përforcojmë shërbimin shëndetësor nga 1 qershori deri më 31 gusht me shërbim 24 ore dhe me pajisje të reja, me furnizim me barna dhe materiale mjekësore shtesë, në mënyrë që t’i përgjigjemi nevojave që ka ky sezon turistik.

Janë 3 qendra shëndetësore në Alpe: Valbonë, Razëm dhe Theth, pastaj janë 19 qendra të tjera shëndetësore që fillojnë nga Velipoja deri në Ksamil. Ndërkaq, duke falënderuar kreun e shëndetësisë në vend për ndihmën që i ka dhënë Malësisë së Madhe për qendrat shëndetësore, apo qoftë për shtimin e personelit mjekësor, qoftë edhe për përkushtimin e ndihmën në rastet emergjente që kanë patur malësorët e kësaj zone, Sterkaj u shpreh se përparësia e Qeverisë është afrimi i qendrat shëndetësore aty ku është publiku si dhe fuqizimi i spitalit rajonal të Shkodrës.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: