TIRANE- Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” përmirëson dhe fuqizon ndjeshëm kapacitetet e shërbimeve falë investimeve të realizara gjatë vitit 2014 në shërbimin e kirurgjisë, reanimacionin dhe atë shërbimit të neonatologjisë, si dhe kabinetin e imazherisë.

Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës që Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj përuroi sallën e re operatore në shërbimin e kirurgjisë dhe vendosjen e 6 inkubatorëve të rinj në shërbimin e neonatologjisë.

Ministri Beqaj tha se përmirësimi dhe fuqizimi i kapaciteteve që arritëm të realizojmë që kur kemi marrë detyrën na ndihmojnë për t’i shërbyer, më mirë, më me cilësi dhe më shpejt, qoftë nënave të reja, qoftë bebeve që lindin këtu. Por, sigurisht, tha më tej ai, edhe për të mundësuar edhe që mjekët dhe infermierët të mund të kenë rezultate sa më të mira në punën e tyre, sepse në mjekësinë e sotme padyshim, aparaturat, ekzaminimet, kushtet e punës, janë shumë të rëndësishme.

“Të dhënat në këtë spital, tregojnë që në vitin 2014 kemi rritur ndjeshëm volumin dhe shërbimin që kemi ofruar në krahasim me vitin 2013, por edhe ato që janë specifike për këtë lloj spitali, të cilat tregojnë se kemi ulje të lindjeve premature, kemi ulje të lindjeve me operacion dhe kemi ulje shumë të ndjeshme të parametrave të mortalitetit të fëmijëve”, tha Beqaj.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: