TIRANE-Zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj, ka prezantuar sot treguesit fiskalë të tremujorit të parë të vitit 2015. Në një konferencë për mediat nga Ministria e Financave, Beqiraj tha se në 3-mujorin e parë të 2015 është shënuar rritje e prodhimit vendas, ndërsa tha disa të dhëna në dogana kanë shënuar ulje. Shkak për këtë sipas zv/ministres Beqiraj ka qenë ndryshimi në raportin import-prodhim vendas.


“Tabela e produkteve të akcizës, tregon se ka rritje të prodhimit vendas krahasimisht me importin. TVSH në dogana ka shënuar ulje krahasuar me 0 2014, dhe kjo ka ardhur si rezultat i konsumit të karburantit. Nuk kemi më të gjithë karburantin e importuar, por kemi prodhim vendas. Importi i energjisë në tremujorin e parë të 2015 është ulur me 229 mijë megavat në orë. Kur fillon prodhimi vendas mbledhja e TVSH është më e vështirë sesa kur produkti vjen nga importi. Kemi ulje të TVSH edhe për makineritë, dhe për materialet e ndërtimit. Renta minerare është elementi që ka më shumë ulje në dogana.
Ka ulje në disa të dhëna në dogana, dhe kjo ka ndodhur pasi ka patur ndryshime në raportim import-prodhim vendas. Ne nuk themi që çdo gjë në dogana lulëzon, gjithmonë ka vend për përmirësime”, tha Beqiraj.

Më tej, zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj, tha se po thellohet reforma në burime njerëzore, si dhe lufta ndaj korrupsionit në dogana. “Deri më tani janë dërguar 8 doganierë në prokurori”, tha Beqiraj.

Nga ana tjetër, Beqiraj i bëri thirrje qytetarëve që mos ta shohin situatën në vend dhe aq të zezë, ndërsa theksoi se ‘ju ftoj të shihni pak dritë në fund të tunelit’.

Më tej, kreu i Doganave theksoi qeveria ka ende borxhe të pashlyera bizneseve, të mbartura nga qeverisja e kaluar. “Kjo qeveri ka akoma shumë borxhe për të paguar dhe tatime nga procese gjyqësore që i kemi peshqesh nga qeveria e kaluar. Çdo tatim fitimi që do mblidhet më tepër, do shkojmë për të plotësuar borxhet. Në TAP futen dhe të gjitha të ardhurat individuale që vinë nga depozita të tjera. Kjo çon në ulje të tatim fitimit mbi të ardhurat personale. Qeveria ka për të paguam për pak shpenzime për interesa. Situata nuk është aq e zezë dhe ju ftoj të shihni pak dritë në fund të tuneli (i drejtohet mediave).”, -tha Beqiraj.

Pyetje nga gazetarët
Mendoni se efektin e mosrealizimit të të ardhurave do e shuani në muajt në vijim apo po mendoni për ndonjë rishikim buxheti?
Për të qenë plotësisht transparentë me ju, që në takimet e para me FMN, efekti prej 6 miliardë lekësh (që llogaritet sot vetëm nga renta minerare) është një efekt të cilin ne e kemi akontonuar në një farë mënyre dhe jemi të vetëdijshëm. Efektet e tjera mendojmë se me kalimin e kohës do të kenë mundësi të rikuperohen, sidomos pas procesit zgjedhor kur bashkitë do të fillojnë të rigjallërohen dhe të rifillojnë me drejtuesit e rinj, çdo gjë do të kalojë më qetësisht dhe në mënyrë më graduale.

Pra do i qëndroni planit aktual?
Përgjigje: Deri në qershor do t’i qëndrojmë planit aktual, më vonë do të shikojmë nëse do të kemi mundësi për të rishikuar. Dihet tanimë që është një efekt i rentës minerare, që nuk është në dorë të qeverisë shqiptare.

Çfarë nënkuptoni kur thoni akontonim të këtij 6 mld?
Përgjigje: Do të thotë që ne e kuptojmë që mund të kemi një 6 miliardësh lekë minus, por kemi një plan B, që do të shohim se si do të ecin shpenzimet apo edhe një rishikim të buxhetit në qershor apo në shtator.

Kur do të vihet në funksionim të plotë sistemi i ri i tatimeve? Ku do të fokusohet paketa e re fiskale 2016, a do të ketë rritje taksash dhe në cilën fazë jeni aktualisht?
Sistemi i ri tatimor është në funksion të plotë, pra bizneset mund të punojnë me të. Kuptohet që kemi disa probleme në gjenerimin e disa raporteve, pra analizat tona të brendshme, që nuk kanë lidhje me shërbimet që ne i ofrojmë biznesit, me mënyrat se si ne duam të gjenerojmë raporte të caktuara, për të bërë analiza të brendshme. Mendohet se brenda qershorit do të vëmë në punë edhe sistemin e analizës së riskut për rimbursimin e TVSH, kështu që sistemi është në punë. Kuptohet, ajo që dua ta përsëris gjithmonë dhe kam përshtypjen se me gjithë dëshirën që të bëjmë një oponencë për qeverinë apo për këdo tjetër, kur është ndonjë fjalë e mirë për t’u thënë është mirë ta themi: Sistemi i ri i Tatimeve, (nuk e ka thënë unë, por e ka thënë FMN), është sistemi më i mirë në Evropën Qendrore dhe është bërë në një kohë rekord. Nëqoftëse administrata tatimore ka diçka për t’u falenderuar, përveç të ardhurave të mbledhura në 2014, duhet falenderuar shumë për punën e palodhur që ka bërë për të vënë në punë atë sistem, që është një sistem pararojë, shumë i mirë. Kuptohet që sistemet teknologjike gjithmonë kanë nevojë për përditësim, raportet mund të ndryshojnë, shpeshherë menaxhimi i kërkon raportet ndryshe dhe kuptohet që, modulet e brendshme të gjenerimit të informacionit mund të ndryshojnë herë pas here. Po sistemi është në punë dhe është vënë në punë për një vit.

Ndërsa për sa i përket paketës fiskale të viti 2016, siç jeni në dijeni, i kemi ftuar disa herë bizneset të sjellin komentet e tyre. Shpeshherë bizneset duan kohën e tyre për t’i prurë të gjitha këto, dikush e merrë vesh në kohë, dikush pretendon se nuk është lajmëruar, etj. Megjithëse ne jemi munduar disa herë, edhe ministri në media u bëri ftesë bizneseve, dhomave të tregtisë, që të sjellin mendimet e tyre. Jemi akoma në fazën e mbledhjes së mendimeve dhe në momentin që do të ulemi që t’i shikojmë, do të dalim me konkluzione se do ketë ndryshime apo jo në paketën fiskale. Deri tani nuk është vendosur asgjë.

Një pyetje lidhur me strukturat drejtuese të tatimeve dhe doganave, duke pasur parasysh rezultatet e këtij tremujori, do të pasqyrojnë ndryshime për një mirëmenaxhim?
Ta bëj unë pyetjen më të drejtpërdrejt, që ta kuptoj? Doni të dini nëse do të jem unë në drejtim të doganave apo znj.Shehaj në drejtim të tatimeve? Këtë pyetje mund tua drejtoni Ministrit të Financave apo Kryeministrit.
(el.sp/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb