BERAT

Një 45-vjeçare nga fshati “Poshnje” në Urë Vajgurore ka rënë nga ballkoni i katit të dytë dhe është gjetur e shtirë pa ndjenja në oborrin e banesës së saj private mesditën e sotme.

Rrëzimi i gruas nga ballkoni i katit të dytë është parë nga fqinjët, të cilët kanë shkuar menjëherë për ti dhënë ndihmën e parë dhe kanë njoftuar policinë. Zamira Xhaxhaj, nëna e dy fëmijëve, është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Beratit, ku gjendja e saj paraqitet e rëndë.

Burime të Spitalit Rajonal të Beratit bëjnë me dije se gruaja ka pësuar dëmtime në shtyllën kurrizore dhe po trajtohet intensivisht. Në vendngjarje kanë shkuar inspektorë të policisë, të cilët po marrin më pyetje të gjithë ata banorë të fshatit, që kanë dijeni rreth ngjarjes.

Ende nuk bëhen zyrtarisht të ditura nga policia shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje, ashtu sikurse nuk konfirmohet as fakti nëse gruaja është hedhur vetë apo ka rënë aksidentalisht apo nëse e kanë shtyrë nga ballkoni. 45-vjeçarja Zamira Xhaxhaj jetonte vetëm me dy fëmijët e saj, 13 dhe 10 vjeç në një banesë në ndërtim e sipër në kodrën e fshatit Poshnje. Bashkëshorti i saj, Ardian Xhaxhaj mësohet se ka emigruar prej disa muajsh jashtë vendit.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: