BERAT

5 Maji, dita e dëshmorëve të atdheut, e gjen edhe këtë vit qarkun e Beratit me lapidarë të shkatërruar,të lëvizur pa asnjë sens nga njëra anë e rrugës në tjetrën,të mbuluar me ferra dhe ç’është më e keqja,me lapidarë të shndërruar në VC pu like.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kjo është gjendja në të cilën ndodhen sot lapidarët në bashkinë e Urës-Vajgurore,pasi askush nga drejtuesit e pushtetit vendor nuk e ka më vëmendjen në mbrojtjen e vlerave të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare si dhe dëshmorëve të kësaj lufte që dhanë jetën për lirinë dhe demokracinë e atdheut të tyre. Mungesa e investimeve ndër vite për mirëmbajtjen e këtyre monumenteve nga ana e pushtetit vendor dhe papërgjegjshmëria e insitucioneve që ligji i ngarkon me detyrën për t’u përgjigjur për ruajtjen e këtyre vlerave dhe simboleve historike,jo vetëm që denigron figurat e luftës por cënon edhe simbolet që përjetësojnë këto figura.

Realiteti që shohim sot në këtë 5 Maj është shokues. Përgjatë rrugës navionale Berat-Lushnje,në fshatin “Polizhan”,lapidari kushtuar dëshmorit të atdheut Josif Aleksi,i cili u vra gjatë një beteje në 5 Dhjetor 1943,jo vetëm që është zhvendosur pa asnjë sens nga njëra anë e rrugës në tjetrën por është zhvendosur në ferra dhe për të shkuar tek ky lapidar duhet të kalosh kanalin e hapur në mes të rrugës,pa folur pastaj për pllakën përkujtimore të këtij lapidari që me zor mund të lexohet. Pak kilometra më larg,në fshatin Gajdë,lapidari kushtuar 5 dëshmorëve të këtij fshati që u vranë në 12 Tetor 1943,është mbuluar nga ferrat e barishtet dhe zona përreth tij është shndërruar gjatë viteve në varrezat e fshatit. Ky lapidar,ku dikur banorët e zonës kryenin homazhe dhe nderonin të rënët në luftë,ka ngelur thjesht një gur i gjatë beton pa asnjë identitet,pasi janë fshirë edhe emrat e 5 dëshmorëve.

Në aksin tjetër nacional Berat-Fier,në vendin e quajtur “Qafa e Sqepurit” ndodhet edhe lapidari më i rëndësishëm i Urës-Vajgurore,lapidari kushtuar Partizanëve të vrarë të Brigadës së VII Sulmuese. Ky lapidar është totalisht i shkatërruar,ka pësuar çarje të strukturës në shumë pjesë dhe rrethohet nga plehra e kafshë të ngordhura, ndërkohë që pjesa e pasme e tij është shndërruar në banjo publike nga kalimtarët e papërgjegjshëm.

Po në këtë aks,në fshatin Kutalli,ndodhet një tjetër lapidar,që dëshmon rezistencën heroike të një partizani që ra dëshmor,por edhe në këtë lapidar është fshirë gjithçka që ishte shkruar dikur për luftën e përgjakur antifashiste nacional çlirimtare në këtë zonë.

Këta lapidarë,që duhet të dëshmonin memorien historike të Urës-Vajgurore,sot janë monumente që dëshmojnë vetëm shkatërrimin e historisë së popullit tonë,pasi prej vitesh nuk janë mirëmbajtur dhe nuk është investuar asnjëherë në restaurimin e tyre.

Bashkia e Urës-Vjagurore është mjaftuar edhe këtë 5 Maj me bojatisjen me gëlqere vetëm të pjesëve ballore e të dukshme të tyre 2 ditë më parë,ndërkohë që për shkatërrimin dhe degradimin e tyre si dhe mungesën e investimeve ndër vite nuk jep asnjë lloj informacioni.

Banorët e zonës së Kutallisë,pohojnë se,vetëm 2 ditë më parë,punonjësit e bashkisë,lyen me gëlqere disa lapidarë të dukshëm në anë të rrugës dhe kjo ndodh gati çdo vit,pasi sapo kalon 5 Maji,dita e dëshmorëve,askush nuk kujtohet më për lapidarët,deri në 5 Majin e ardhshëm.

Duke treguar historinë e luftës së përgjakur dhe heroike që është bërë nga forcat partizane të kësaj zone,ata shprehin keqëardhje për verbërinë e bashkisë ndaj këtyre vlerave historike,që në këtë mënyrë po shuhen.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb