BERAT – Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur një pikë karburanti në Berat. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në një karburant në Lumas. Mësohet se grabitësit kanë kërcënuar me armë punonjësit e karburantit dhe kanë arritur të marrin të gjitha paratë që ndodheshin në arkë, rreth 350 mijë lekë. Me të marrë njoftimin për ngjarjen, policia ka nisur hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e grabitjes.
Dy ditë më parë në kryeqytet, pre e grabitësve ka rënë kompania “Neranxi”. Ngjarja ndodhi në autostradën që lidh Tiranën me Durrësin, teksa dy persona kanë grabitur nën kërcënimin e armëve zyrat e kësaj kompanie. Nga të dhënat e policisë thuhet se në total dy grabitësit kanë mundur që të marrin 123 mijë lekë të reja dhe 82 euro nga arkat e kompanisë. Por nga uniformat blu sqarohet se autorët kanë goditur rojen e zyrave dhe më pas kanë ushtruar terror ndaj punonjësve të pranishëm. Ndërkohë, grabitja është filmuar nga kamerat e sigurisë, në të cilat shfaqen edhe autorët e grabitjes, të cilët janë larguar me shpejtësi pas grabitjes me një automjet tip “Benz”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: