BERAT– Gjethet e para të rrushit tashmë kanë çelur, dhe kjo vlen të festohet në Berat, aty ku festa e gjethes është kthyer në një traditë të përvitshme. Njerëz të njohur të politikës, artit, kulturës, medias, si dhe ambasadorë, edhe këtë vit janë bërë pjesë e mbrëmjes festive në natyrë, ku pasi shijojnë edhe gatimin tradicional të zonë, japrakët që përgatitet me mjeshtëri nga duart e amvisave beratase.
Një nga amvisat beratase, zonja e familjes mikpritëse të festës, tregon se si përgatitet japraku me gjethet e sapo mara nga vreshti, një traditë e lënë brez pas brezi nga paraardhësit e kësaj zone.
“Pasi i ziejmë pak gjethet, i heqim nga tenxherja. Përgatisim orizin me qepë të njoma, me lakra të ndryshme, i skuqim pak, dhe pastaj fillojmë e mbushim gjethet. I vëmë prapë të ziejnë, u japim një valë. E kam mësuar nga prindërit e mi”, thotë Resmije Çobo.
Pjesëmarrës në këtë festë ka qenë edhe zv/ambasadori kinez, i cili ka shijuar për herë të parë “japrakët” beratas.
“Kjo është një eksperiencë shumë e veçantë për ne. Jo vetëm unë, por gjithnjë e më shumë turistë kinezë, shijojnë produktet e rrushit dhe verën shumë të mirë. Këto prodhime duam të shkojnë edhe në Kinë, ose t’i shijojmë këtu si turistë”, thotë zv/ambasadori i Kinës, Bani Yunbin.
I njohur për prodhimin e verërave më të mira në vend dhe jashtë tij, Berati po kthen në një traditë të përvitshme festën e gjethes së parë të rrushit dhe nisjen e çeljes së tyre, që më pas i hap rrugën pjekjes së rrushit, prodhimit të verës, që përmbyllet me festën e degustimit të saj.
(el.sp/BalkanWeb)