Bie mbi një furgon pema shekullore në aksin mes dy Urave në Berat, dëmtohet furgoni që qarkullonte në këte aks. Nuk shënohet asnjë i lënduar, bllokohet qarkullimi në njërin krah për rreth një orë.

Një pemë shekullore, rrap, është rrëzuar pasditen e sotme në aksin mes 2 Urave në qytetin e Beratit dhe ka rënë mbi një furgon që qarkullonte në rrugë. Famirësisht nuk ka asnjë të lënduar në njerëz, ndërkohë që ka shkaktuar dëme të mëdha materiale tek furgoni mbi të cilin ra.

Rrëzimi i pemës në aksin Ura e Goricës-Ura e Varur, ka bllokuar qarkullimin e mjeteve në rrugë në njërin krah për rreth një orë dhe tashmë qarkullimi në këtë aks është duke u monitoruar nga efektivë të policisë rrugore, pasi është dëmtuar mbrojtësja prej hekuri në anë të rrugës së këmbësorëve.

Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve që po presin pemën në zonë për të mundësuar hapjen e rrugës dhe për të vijuar qarkullimin normal të mjeteve, ndërkohë që shërbimet e policisë rrugore po kqyrin vendin e ngjarjes për të dokumentuar edhe dëmet që janë shkaktuar mbi automjetin, furgon.

Kjo është pema e dytë që rrezohet në harkun kohor të 20-ditëve të fundit në këtë aks.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: