“Berati nën yje” ishte koncerti operestik që i dha zë e gjallëri ndryshe mbrëmjes në Kalanë e Beratit. Në kuadër të projektit “Turizëm i aksesueshëm për të gjithë”, aktiviteti i organizuar nga Instituti i Kërkimeve Urbane dhe bashkia Berat, është një projekt që financohet nga Bashkimi Europian dhe ka për qëllim t’u vijë në ndihmë personave me aftësi të kufizuara, duke u ofruar atyre mundësi të barabarta me bashkëmoshatarët e tjerë dhe duke i integruar në shoqëri.
Nëpërmjet këtij projekti që sapo ka filluar të implementohet në Berat, shumë shpejt do të realizohet lehtësimi i aksesit për personat me aftësi ndryshe në zonat turistike dhe ato të trashëgimisë kulturore në Shqipëri dhe Greqi, sitet dhe monumentet me akses të lehtësuar do të promovohen elektronikisht përmes ndërtimit të një aplikacioni dhe do të bëhen ndërhyrjet përkatëse në lagjen “Kala” dhe në Zyrën e Informacionit Turistik, ndërhyrje këto të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara.
Në koncert performoi sopranoja e njohur Ulpiana Aliaj, e cila shoqërohej në violinçel nga Arben Skënderi, në kitarë nga Denis Bizhga dhe në klaviçembal nga Jusuf Beshiri. Koncerti ishte organizuar në këtë lloj muzike pasi kjo muzikë në karakteristikën e vet ka një qetësi shpirtërore që i fal njerëzve dhe është gjithëpërfshirëse për të gjitha moshat e kategoritë e personave.
Drejtuesi i projektit “Turizëm i aksesueshëm për të gjithë” Drini Nushi ka deklaruar se organizimi i këtij koncerti ishte në ndihmë të personave me aftësi ndryshe dhe kishte si qëllim që edhe kjo kategori personash të arrijë të kenë akses për të vizituar monumentet e kulturës dhe të përfshihet në aktivitetet kulturore e sociale.
“Projekti parashikon disa ndërhyrje në Kalanë e Beratit, nëpërmjet sinjalistikave specifike për personat me aftësi ndryshe. Infrastruktura aktuale lë shumë për të dëshiruar, ka shumë probleme pasi shumë pak pjesë të kalasë së Beratit janë të aksesueshme për këtë kategori personash por investimi që do të kryhet do të mundësojë aksesimin në çdo pjesë të kalasë”, ka thënë Drini Nushi.