Të bësh krahasime mes dy periudhave të ndryshme ndonjëherë prodhon jo vetëm keqkuptime, por edhe pakënaqësi. Hulian Rubio, ish-trajneri i Tiranës, i njohu meritën teknikut aktual, Ze Marias, për ngjitjen në Superiore, por i kujtoi edhe një herë se ka bërë detyrën.

“E punësuan për ta ngjitur ekipin në Superiore dhe ai bëri punën e tij.. Por unë kam punuar pa stafin që ka Ze Maria sot. Ai thjesht ka ngjitur ekipin në Superiore, ndërsa unë fitova disa finale me Tiranën”, tha ndër të tjera Rubio një ditë më parë për “Panorama Sport”. Fjalë që në fakt nuk i kanë tingëlluar edhe aq mirë Ze Marias. I matur në replikën e tij, braziliani gjithsesi i kujton se nuk është e lehtë të shkelësh në terren të panjohur, siç ishte Kategoria e Parë për vetë atë si trajner, por edhe për shumicën e lojtarëve të Tiranës. Në intervistën për “Panorama Sport”, trajneri aktual flet edhe për të ardhmen te bardheblutë dhe pretendon se gjithçka do të mbyllet brenda së hënës së ardhshme.

A jeni dakord me ato që thotë Rubio për ju?
Nuk e kam dëgjuar më parë si emër, por e pashë në gazetën tuaj se kishte folur diçka edhe rreth punës sime.

Ju ka komplimentuar, por thotë edhe se thjesht keni bërë detyrën sepse ai ishte edhe objektivi i klubit…
Nuk jam tip që merrem shumë se çfarë thonë të tjerët. Nuk e di se sa mirë ka ecur Rubio te Tirana, por nëse ka fituar diçka, aq më mirë për të. Ai kishte objektivat e veta dhe unë të miat, por më vjen keq nëse ai përpiqet të minimizojë punën time ose, le të themi, kërkon ta bëjë fakt të kollajshëm ngjitjen në Kategorinë Superiore. Nuk mendoj se është e drejtë të flasë kështu. Nuk ishte edhe aq e lehtë… Të gjykosh nga jashtë është e thjeshtë, por po ju them se ishte një tokë e pashkelur për mua dhe për skuadrën. Unë kam luajtur si lojtar në kategoritë elitare dhe si trajner nuk kisha punuar ndonjëherë në kategoritë inferiore. Pra nuk ishte edhe aq e lehtë.

Dakord, por ai me Tiranën ka fituar dy Superkupa dhe një Kupë…
Mirë ka bërë, thjesht detyrën ka bërë. Por nëse përpiqet të zvogëlojë punën time, mua më intereson shumë pak kjo gjë. E përsëris që detyra ime ishte që të punoja me seriozitet dhe ta riktheja Tiranën në elitë. Sigurisht që unë nuk kisha bërë asnjë gabim për Tiranën dhe nuk kisha asnjë përgjegjësi për rënien e saj. Detyra ime ishte ta ngjisnim lart dhe së bashku me lojtarët, stafin dhe drejtuesit e klubit ia dolëm. Kaq mund të them.

Rubio thotë se nuk mund të krahasoheni me të sepse ai ka punuar në kushte të tjera dhe ishte pa stafin e duhur, ndërsa ju keni asistentët e nevojshëm për të bërë si duhet detyrën e trajnerit…
Më duket e çuditshme ta dëgjoj këtë nga një trajner… Ai vendosi të punonte në ato kushte sepse kishte pranuar që të punonte ashtu. Unë kërkova stafin tim dhe dy të besuarit e mi. Është e drejta e tij dhe e imja që të zgjedhim për mënyrën sesi punojmë. Nëse ai flet për shkallë vështirësie pune, mjafton t’i kujtoj se është më e vështirë të punosh me një ekip të madh në kategoritë inferiore se sa në Kategorinë Superiore. Aq më tepër që nuk e njihnim fare se ku po luanim sepse për mua dhe për Tiranën ishte hera e parë. Mua më vjen keq që e dëgjoj këtë nga një koleg. Unë vetë nuk i gjykoj kurrë kolegët. Unë mendoj se ai ka bërë punë të mirë dhe kam bindjen se edhe puna ime te Tirana ka qenë e shkëlqyer. Ne jemi njerëz dhe maksimumi që mund të bëjmë, është që ta kryejmë mirë detyrën që na jepet. Mrekullitë i bën vetëm një: Jezu Krishti. Nëse dikush mburret se bën mrekulli, por nuk quhet Jezu Krisht, atëherë unë nuk e besoj dot këtë…(qesh).

Rubio ka thënë se te Tirana çdo trajner duhet të ketë mundësinë të punojë i qetë dhe pa kurthe. Ju keni pasur ndonjëherë kurthe?
Unë mendoj se një trajner duhet të ketë kushtet e duhura për të punuar. Unë deri tani te Tirana i kam pasur kushtet që të punoj. Kaq, nuk kam dëshirë ta komentoj gjatë këtë.

Meqë jemi te kushtet e punës, ju vetë kur do ta firmosni rinovimin e kontratës?
Jemi duke punuar për këtë.. Unë kam një marrëveshje dyvjeçare, pra një vit kontratë me opsion rinovimi. Jemi duke diskutuar me presidentin Halili dhe besoj se do ta mbyllim me sukses. Deri të hënën besoj se do të ketë përfunduar gjithçka, sepse unë më pas duhet të kthehem në shtëpinë time. Por, gjithsesi deri tani kemi ecur shumë mirë.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/beri-thjesht-punen-ze-maria-replikon-me-rubion-ai-nuk-eshte-krishti-ankohet-per-stafin-te-tirana-sepse/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: