Kreu demokrat Sali Berisha e cilësoi si të ndërtuar në mashtrime dhe falsifikime atë që njihet si dosja e 21 janarit, për të cilën SPAK ka nisur hetimet.
“21 janari u ndërtua mbi një mashtrim, falsifikim dhe etje gjakësore për pushtet të Edi Ramës dhe bandës së tij”, tha Berisha, gjatë konferencës për mediat. Berisha tha se 21 janari të çon drejt të shkuarës, ndërsa ka vënë theksin në protestën e 7 tetorit.
Një ditë më parë, në SPAK u depozitua një audio, ku pretendohet se komunikojnë gardistë, pak përpara se të ndodhnin vrasjet e 4 demostruesve në bulevard, por edhe pas krimit të rëndë.
Kreu demokrat u shpreh se 7 tetori është dita për të hapur dyert për shqiptarët për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“7 tetori është thirrur pasi është bërë e qartë për çdo shqiptar se Edi Rama grabit mandatet dhe nuk respekton vullnetin e qytetarëve por e kontrollon atë.
Pasi është bërë e qartë për çdo qytetar se ky armik i votës së lirë ka vendosur në arrest dhe ndjekje penale tre drejtuesit e partive kryesore opozitare, i bindur se nuk fiton zgjedhjet.
Pasi është bërë e qartë se ai ka rikthyer, si bastard i xhelatit Kristaq Rama, burgosjet politike në Shqipëri.
Pra, paralelizma, e para shkon drejt të shkuarës, kjo e dyta shkon drejt të ardhmes së Shqipërisë”, tha Berisha.