Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetarr, është ndalur te skandali i Spitalit të Onkologjikut, duke akuzuar qeverinë se kjo është një ‘vrasje me pagesë e qytetarëve shqiptarë’. ‘Sot na del se shëndetësia falas është vrasje me pagesë e qytetarëve shqiptarë nga qeveria e Edi Ramës’, u shpreh Berisha në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Berisha ka denoncuar të tjera skandale për shëndetësinë falas të Edi Ramës, ku sipas tij ka ndryshuar ligjin pasi erdhi në pushtet për ilaçet ne spitalet shtetërore. ‘Rama ndryshoi ligjin në vitin 2014 që Vilma Nushi dhe Tom Doshi të shesin bërllog ilaçe që vrasin qindra qytetarë’, akuzoi kryedemokrati Berisha.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka denoncuar një tjetër skandal në lidhje me aparaturën e kobaltit që e kishin nxjerrë jashtë funksionit te Spitali Onkoligjik. ‘Aparatura e kobaltit te Onkologjiku ka mbjellë vdekje te të ëmurët, personeli dhe banorët e zonës për vite me radhë’, u shpreh Berisha në tubimin qytetar që zhvillohet poshtë banesës së tij.

Duke u ndalur te skandali me të sëmurët e prekur nga sëmundjet e rënda te Spitali Onkologjik, kryedemokrati Berisha u shpreh se rrezatimi i pajisjes së kobaltit kishte një rrezatim 18 herë mbi normën dhe një gjë e tillë u denoncua nga një mjek i ndërgjegjshëm. ‘Rrezatimi ishte 18 herë mbi normën! Një mjek i ndërgjegjshëm denoncoi skandalin, por u largua nga Onkologjiku’, theksoi Berisha.

Sali Berisha u ndal edhe te masa e dhënë nga SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për bllokimin e pasaportës, lajm i cili u raportua mbrëmjen e djeshme. ‘Pasaportën e Erion Veliajt e hoqi Edi Rama vetëm e vetëm që të mos spiunojë dot më në qeveritë dhe vendet e tjera’, theksoi Berisha në tubimin qytetar që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Berisha është ndalur te zhvillimet politike brenda Partisë Demokratike pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të rikthyer logon dhe vulën në selinë blu. ‘Partia nuk është e Sali Berishës! Partia nuk është e këtij apo atij personi. Partia është e guximit dhe fitores tuaj!’, theksoi Berisha në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh për qëndresën tuaj epike në mision të jashtëzakonshëm për shpëtimin e Shqipërisë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, në këtë vend ku skandalet me pasoja herë-herë dhe vdekjeprurëse për qytetarët vendosen kat mbi kat, nuk di njeriu, hetohet se çfarë ndodh në këtë vend.

Sot, Edi Rama deklaroi se në administratën e tij ka pjesë të zeza.

Më lejoni t’i them këtu para jush se në administratë sot kryebalozi i zi i saj e ka emrin Edi Rama. Edi Rama është njeriu që ndërtoi me moralin e tij pervers, çnjerëzor, sistemin e korrupsionit në çdo segment të administratës.

Edi Rama erdhi si bastion i zi i vjedhjes së shqiptarëve. U instalua kryeministër me akuzën e OSBE-së se gjatë kohës si kryetar bashkie, vodhi dhe depozitoi në kontot offshore 200 milionë euro.

Edi Rama është balozi i zi i administratës së sistemit korruptiv sepse akoma pa u bërë kryeministër, hyri në saraje krimi me oborr 5 mijë metër katrorë dhe themele 720 metra të gjata, në një kohë kur balozi i zi kishte të deklaruara në ILDKP gjithsej 3800 euro. Kishte të deklaruara 400 mijë lekë.

Edi Rama është balozi i zi që ndërtoi në këto vite sistemin barbar të vjedhjes së qytetarëve sepse erdhi në pushtet me pallat në pajë të zonjës së tij pesëkatësh, pa asnjë faturë tatimore, doganore, bankare, ndërtimore, etj.

Miqtë e mi!

Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin e shëndetësisë falas, kurse sot na del se shëndetësia falas është vrasje me pagesë e qytetarëve shqiptarë nga qeveria.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, ju keni dëgjuar dhe jeni tronditur nga skandali i publikuar në media.

Po ju garantoj se në atë spital dhe jo vetëm në atë spital, por në çdo spital janë marrë jetë njerëzish për shkak të korrupsionit që mbolli Edi Rama me shëndetësinë falas.

Të dashur miq!

Në vitin 2014, akti i parë nën diktatin e Vilma Nushit, Tom Doshit, vampirëve të shëndetit të shqiptarëve, u abrogua ligji sipas të cilit në territorin e Shqipërisë për shtetasit shqiptarë, nuk mund të shitej asnjë preparat, asnjë ilaç që nuk ishte miratuar nga enti i ilaçeve të BE ose SHBA.

Njëri nen. Neni tjetër, në territorin e Shqipërisë nuk mund të shitej asnjë ilaç që nuk ishte përdorur të paktën tre vite, në të paktën dy vende anëtare të BE. Me këtë ligj ne mbronim qytetarët.

Ne sigurisht paguanim më shtrenjtë ilaçet në listën e rimbursimeve, por e bënim atë me ndërgjegjen më të plotë se qytetari duhej të blinte ilaçe dhe jo kallp ilaçe. Duhej të blinte ilaçe të vërteta dhe jo toksike apo pa efekt.

Mirëpo erdhi bashkëshortja e kushëririt, që quhet Vilma Nushi dhe ligji duhej ndryshuar në mënyrë që Vilma të mblidhte fundërrinat e ilaçeve dhe t’ua shiste shqiptarëve sot, siç ndodh.

Miqtë e mi!

Ju duhet ta dini se të gjitha kompanitë pa përjashtim, të mëdha evropiane dhe botërore, që kishin përgjegjësi ligjore dhe shkencore për preparatet, u larguan një nga një të gjitha nga Shqipëria.

Të gjitha u zëvendësuan nga Vilma dhe Toma që fitojnë mijëra tendera në vit dhe shesin bërllog ilaçe për qytetarët shqiptarë. Të cilët humbasin qindra e qindra jetë nga këto ilaçe.

Miqtë e mi!

Unë nuk mbroj asnjë njeri që shkel Betimin e Hipokratit. Nuk mbroj asnjë njeri, i cili shkel kodin themelor të humanizmit të mjekut.

Por ju duhet ta dini, shqiptarët duhet ta dinë se ai spital me aparaturën që solli Odeta, Zonja e Vdekjes, mbjell vdekje te të sëmurët, mbjell vdekje te personeli, mbjell vdekje te banorët e zonës. Ju duhet ta dini se aparatura e sjellë për kobaltin punon me iridium. Aparatura është lënë vite në korridore dhe zyra duke emetuar për vite të tëra.

Ju duhet ta dini se impianti i iridiumit, të cilën e solli Zonja e Vdekjes Manastirliu dhe e plasi si thes në korridor, kishte rrezatim 18 herë më të lartë se rrezatimi i lejueshëm.

Rrezatimi 18 herë mbi normën është mordigjen, është sëmundjeshkaktues për njeriun, për kafshën, për çdo qenie.

Miqtë e mi!

Aty janë jo një, po disa personel të sëmurë me sëmundje malinje nga ky impiant.

Aty janë numri i të sëmurëve të tjerë nuk dihet se sa janë.

Por ka një mjek të ndërgjegjshëm, sigurisht ka shumë, por ai bëri gjithçka për të mbrojtur personelin, të sëmurët nga impianti vdekjeprurës i Manastirliut dhe ish-kunatës së Edi Ramës.

Ky mjek i nderuar, të cilit unë i uroj suksese, protestoi në ministri për impiantin e vdekjes.

Protestoi te Joti dhe te drejtorët e QSUT-së.

Protestoi te drejtoria e Onkologjikut.

Denoncoi në prokurori te burri i Ermelindës, te prokurori-Felaj.

Të gjithë kanë heshtur si fije bari, bashkë-kriminelë, bashkë-vrasës.

Njëri pas tjetrit duke mbrojtur njëri-tjetrin.

Mjeku i ndërgjegjshëm dha dorëheqjen, u largua me një guxim dhe duke i thënë: ç’ke ti me këtë punë, mos u merr ti me këtë punë.

Mos u merr me këtë punë, ndërkohë burimi i rrezatimit ishte 18 herë mbi normën, me matje ndërkombëtare.

U ndala në këtë moment për t’u shpjeguar shqiptarëve se fati i tyre në duart e Edi Ramës, se fati i tyre në duart e këtij pushteti është sot më i pasigurt se kurrë.

Se o sot o kurrë duhet të marrin fatin në duart e tyre.

Se sot o kurrë duhet të marrin fatin e tyre në duart e tyre.

Duhet të bashkohemi në protestën e fuqishme.

11 korriku është dita të themi fjalën tonë.

Është dita e betejës sonë.

Është dita e fitores sonë.

Miq!

Prej dje e gjer sot, Altin Zamani vazhdon pazarin me mandatet e arrestit, me mandatet e pa mandatet.

Edhe njëherë i them jep dorëheqjen, pazarexhi i fëlliqur.

Jep dorëheqjen tregtar i të drejtës dhe ligjit.

E kuptoni ju, janë arratisur me mace e me minj ata që duhej të ishin brenda sepse pasi i njofton, Dumani thotë i njoftoi gjykata.

Kurse heqja e pasaportës së Erion Veliajt është akti më cinik për opozitën shqiptare.

Është një tallje e vërtetë për opozitën shqiptare.

Pasaportën e Erion Veliajt, mos harroni se e hoqi Edi Rama vetëm e vetëm që të mos spiunojë dot më në qeveritë dhe vendet e tjera.

Hajduti duhet të nxirret të premten nga bashkia.

Për zverku, drejt në shtyllën e turpit të historisë.

Ndaj dhe le t’i themi Edi Ramës se nuk mashtron dot shqiptarët me pasaportën e turpit të Erion Veliajt.

T’i themi Zamanit se Nuredini që i shite dosjen dhe që është një serial killer në çdo variant, del më njeri se ti, pazarexhi dosjesh, njeri pa dinjitet që do dështosh me qëllim me urdhër të partisë çdo operacion.

Turpi të mbuloftë aty ku je!

Edhe njëherë, guximtare dhe guximtarë, të vazhdojmë betejën tonë të bashkuar.

Të bashkuar me çdo qytetar shqiptar.

Të bashkuar me çdo demokrate dhe demokrat.

Dhe këtu më lejoni në emrin tuaj t’u rikujtoj të gjithë atyre që nga viti 1990 gjer sot, kanë investuar mundin, djersin, mendjen, guximin e tyre në PD, në këmbë të gjithë së bashku.

Të bashkuar rreth flamurit të partisë.

Partia nuk është e Sali Berishës.

Partia nuk është e këtij apo atij personi.

Partia është e idealeve më të larta njerëzore tuaja.

Partia është partia e virtyteve tuaja.

Partia e guximit tuaj.

Parti e investimit tuaj.

Parti e fitores.

Rroftë fitorja, rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: