Lideri i PD-së Sali Berisha, në fjalën e tij përpara protestuesve deklaroi se demokratët kanë bashkuar besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Berisha tha se demokratët do të fitojnë betejën e madhe dhe se Shqipëria do të çlirohet nga pushteti, sipas tij kriminal e antikombëtar.

“Edi Rama është mafia më e rrezikshme e planetit, ai dhe mafia e Xhorxh Sorosit i kanë shpallur luftë flamurit, kombit dhe demokracisë shqiptare. Edi Rama do një Shqipëri pa shqiptarë. Pa opozitë. Pa drejtësi. Pa kulturë. Pa dinjitet. Pa familje. Prandaj, kjo luftë kërkon dhe meriton çdo sakrificë nga demokratet dhe demokratët shqiptarë, për një Shqipëri të shqiptarëve, për familje solide, për shtetin ligjor, demokracinë, prosperitetin, integrimin në Bashkimin Europian. Por kjo luftë nuk do të luftohet dhe nuk duhet të luftohet vetëm nga Partia Demokratike. Kjo është lufta e çdo shqiptari”.

Prandaj kushtrimi im sot, shkon për çdo parti opozitare, tradicionale apo të reja qofshin ato, për shoqërinë civile dhe mediat, për veprimtarë dhe aktivistë të të gjitha fushave. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtim i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Të bashkoheni me ne për qeveri teknike, zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë! Kushtrimi im sot shkon për çdo demokrate e demokrat, për socialistët e zhgënjyer dhe qytetarët e paparti, për shqiptarët kudo që ndodhen. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtimi i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Bashkohuni me ne për të lidhur besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë!

Kushtrimi im sot është kushtrimi i flamurit kuq e zi. Është kushtrimi i një kombi që po tretet dhe po grabitet në mënyrë të lemeritshme. Të bashkohemi për t’i thënë STOP me votën e lirë zbrazjes së Shqipërisë. Me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Qeveri teknike është betimi ynë! Kushtrimi im është thirrja për bashkim! Për çdo shqiptar.

Nëse kërkoni shpresë, kujtohuni se shpresa jeni ju. Nëse kërkoni ndryshim, kujtohuni se ndryshimi jeni ju. Nëse doni që Shqipëria të shpëtojë, mos harroni që jeni shqiptarë. Mos harroni, jeni shqiptarët e trashëgimisë epike të Gjergj Kastriotit, të Adem Jasharit, të heroizmit të studentëve të ‘90. Prandaj tani, si një front i madh opozitar, le të përballemi ne me pushtuesin më armiqësor të shqiptarëve të shekullit 21. Prandaj shqiptarët do bashkohen në këtë luftë. Jo për Sali Berishën. Jo për Partinë Demokratike. Jo për politikë”, tha Berisha.

Duke këmbëngulur për qeveri teknike, Berisha tha se kjo kërkesë është kusht i panegociueshëm, ndërsa iu drejtua kreut të qeverisë me një paralajmërim.

“Edi Rama e ka mbyllur ciklin e tij. Vetëm i çmenduri mund ta imagjinoj se Edi Rama do qeverisë 4 vite të tjera. Prandaj, sot në emër të Partisë Demokratike, në emër të frontit të gjerë opozitar, në emër të çdo shqiptari që ka mbi trup edhe shpirt plagët e Rilindjes dhe në emër të flamurit kuq e zi, unë sot i jap këtë paralajmërim Edi Ramës:

Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme. Qeveria teknike është zgjidhja më e thjeshtë për ty. Ke bërë genocid ndaj shqiptarëve Edi Rama. Nëse vetë ndërgjegja jote, do zgjohej një çast për të kuptuar çfarë i ke bërë Shqipërisë, ajo do ulërinte. E përsëris Edi Rama, në emër të shqiptarëve, mos e drejto Shqipërinë drejt abisit, greminës. Prano qeveri teknike. Me urgjencë“, tha më tej ai.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: