Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë se në Bashkinë e Tiranës ka një betejë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, duke e cilësuar atë si një “betejë mafioze” dhe një episod të parë të një “filmi Narcos” që do të çudisë qytetarët dhe botën.
Në një fjalim të mbajtur nga Njësia 8 në Tiranë, Berisha ka akuzuar Ramën dhe Veliajn se janë të lidhur me një “organizatë të rrezikshme kriminale” që dëmton shqiptarët dhe ka shkaktuar një seri abuzimesh. Ai ka përmendur disa skandale, përfshirë mashtrimin me pemët që nuk janë mbjellë dhe skemën e inceneratorëve, duke theksuar se të dy politikanët duhet të ndëshkohen për veprat e tyre kriminale.
Berisha ka vënë në dukje se “lufta mes dy grupeve mafioze është shndërruar në një betejë të ashpër për kontrollin e pushtetit në Bashkinë e Tiranës, duke përmendur emërimet dhe shkarkimet që po bëhen pa u ndjekur procedurat e nevojshme ligjore”. Sipas tij, kjo ka çuar në një paralizim të administratës dhe një përdorim të bashkisë si mjet për interesat e ngushta të grupeve mafioze.
Kreu i PD-së ka përmendur gjithashtu betejën politike të Belind Këlliçit dhe mbështetjen që ka marrë nga qytetarët e Tiranës, duke thënë se ky është vetëm fillimi i një historie të gjatë të ekspozimit të korrupsionit dhe lidhjeve të pushtetit me krimin. Ai ka përfunduar duke deklaruar se Partia Demokratike do të vazhdojë punën për të ndihmuar çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike, dhe për të bashkuar ata në luftën kundër regjimit kriminal.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
Kreu i organizatës, Edi Rama, është kryetari i një organizate të rrezikshme kriminale për qënien e shqiptarëve.
Ju, po të merrni vetëm ç’ndodh sot, 3 ditët e fundit.
Përleshja e tyre në Bashkinë e Tiranës është përleshje nga më mafiozet dhe nga më kriminalet.
Nuk ka unë asnjë sentiment se është një hajdut Erion Veliaj që, meriton të dënohet për 1 milionë pemë që ka mashtruar dhe ka vjedhur paratë e fidanëve dhe nuk i ka mbjellë. Ai meriton të dënohet për djegësine Tiranës, 130 milionë euro, që nuk ekziston.
Ai meriton të dënohet me 5D, se ata janë, ata 5D prishin si barbarë shtëpitë e qytetarëve dhe nuk i kompensonin.
Por, janë rregullat rregulla.
Erion Veliaj dënohet për ato gjëra që s’i ka bërë bashkë me Edi Ramën. Dhe ato që ka bërë, djegësin që ka bërë me urdhër të Edi Ramës nuk dënohet. Nuk dënohet për 5D, për hotelin, se u tha që është Olsi Rama aksioner. Nuk dënohet për ato.
Dhe tani, beteja mafioze. Njëri shkon dhe emëron Anuela Ristanin, Veliaj e shkarkon dhe emëron një tjetër aty kryetare. Ato janë funksione të këshillit bashkiak kudo, as të Ramës dhe as të Veliajt. Duhet të mblidhet Këshilli Bashkiak i qytetit dhe të emërojë se kush do të kryejë funksionet.
Por, betejë mafiozësh.
Rama shkon dhe emëron Sekretare të Përgjithshme një tjetër. Ky i thotë Policisë Bashkiake ndaloje hyrjen nga burgu.
E merrni vesh se ku është Tirana dhe Bashkia, në duart e çfarë mafieje të rrezikshme është.
Belind Këlliçi ka një meritë të jashtëzakonshme që nuk iu nda. Dhe qytetarët e Tiranës kanë një meritë të jashtëzakonshme që në 44 javë nuk iu ndanë atij hajduti.
Por tani, kjo është vetëm pjesa e parë e filmit Narcos. Ta keni të qartë që keni parë vetëm serinë e parë të atij filmi. Se çfarë do të shohim në seritë e tjera, do çuditet ju dhe bota.
Por ne, të lemë kreun e organizatës kriminale të kacafytet me mafien. Ne të bëjmë punë me çdo qytetar, pavarësisht çfarë bindjesh ka, në mënyrë që të bashkohet me ne.