Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas akuzave të Sali Berishës pasi ky i fundit u shpreh se ai ishte arratisur pasi SPAK njoftoi se po zhvillohet hetime për 4 akuza. Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj shprehet se po udhëton drejt SHBA-ve për takime të planifikuara kohë më parë. Ai shprehet se nuk është non grata, duke ironizuar kryedemokratin të cilit i drejtohet edhe me akuza. “O fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde”, i përgjigjet Veliaj.
Kryebashkiaku mohon të ketë tentuar arratisjen siç njoftoi Berisha, por njëkohësisht njofton se do të rikthehet në Shqipëri pas 2 ditësh.
“Nuk iki unë nga Shqipëria, o kërmë, se kam ardhur nga Amerika kur isha 20 vjet më i ri, që të jepja një dorë për ta nxjerrë vendin tim nga llumi ku e zhyte ti me shokë! Dhe nuk më përkulin mua as letrat anonime, si në kohën e partisë, që të bëri ty persekutorin që je sot e gjithë ditën, as kushdo tjetër që shuan epshet e veta nëpër ekranet dhe rrugët e Tiranës, duke u marrë me familjen time, as fantazitë e sëmura të veshura me kostumet e karnavaleve të kësaj historisë sime në gjykatën e ekraneve dhe rrjeteve sociale”.
“Do të kthehem për dy ditë, dhe me durimin e paepur në pritje që të më vijë radha mua, se unë nuk jam burrë legen si ti, që kur SPAK-u merret me ty e me hajdutët e farës tënde është SKAPi i partisë, kurse kur merret me mua e me familjen time është SPAK-u i drejtësisë”.
Reagimi i Veliajt
O Sali, o kërmë, që paske dhënë lajmin se jam arratisur nga Shqipëria, meqë ndonjë nga çimkat e tua më paska parë në avion. Po shkoj në Amerikë, për takime që i kam lënë prej kohësh, se jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe nuk jam Non Grata, o fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde.
Nuk iki unë nga Shqipëria, o kërmë, se kam ardhur nga Amerika kur isha 20 vjet më i ri, që të jepja një dorë për ta nxjerrë vendin tim nga llumi ku e zhyte ti me shokë! Dhe nuk më përkulin mua as letrat anonime, si në kohën e partisë, që të bëri ty persekutorin që je sot e gjithë ditën, as kushdo tjetër që shuan epshet e veta nëpër ekranet dhe rrugët e Tiranës, duke u marrë me familjen time, as fantazitë e sëmura të veshura me kostumet e karnavaleve të kësaj historisë sime në gjykatën e ekraneve dhe rrjeteve sociale.
Do të kthehem për dy ditë, dhe me durimin e paepur në pritje që të më vijë radha mua, se unë nuk jam burrë legen si ti, që kur SPAK-u merret me ty e me hajdutët e farës tënde është SKAPi i partisë, kurse kur merret me mua e me familjen time është SPAK-u i drejtësisë! Unë e di radhën e punëve dhe tani e ka radhën prokurori special të bëjë çfarë të dojë, pastaj vjen radha ime për të thënë çfarë duhet. Ashtu siç e di që unë jam mbështetës i drejtësisë së re dhe nuk bëj komente rrugëve kur ajo merret me të tjerët dhe pastaj rrugaç si puna jote, që të marr rrugët me akuza e sharje kur merret me mua. Aty rri se edhe ti s’ke nga lëviz, se je pa pashaportë dhe nuk del dot nga Shqipëria, se do të të dal si lugat në shtëpi natën e Vitit të Ri, kur edhe Syri i djalit tënd do jetë te Sheshi Skënderbej, duke transmetuar fishekzjarret e 2025-ës, kur do hash shqelmin më të fortë nga shqiptarët, sa të vijë maji!
Pis burrë!
Çfarë tha Berisha?
Kryetari i PD, Sali Berisha tha sot gjatë konferencës për shtyp se kryebashkiaku Erion Veliaj ishte larguar nga Tirana. Ai deklaroi se kishte thashetheme se po udhëtonte drejt SHBA-ve, por duke shtuar se “në të vërtetë drejtimi është i panjohur”.
Sali Berisha: Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 përqind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur. Zonja dhe zotërinj, ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama. Kjo sepse Erion Veliaj është bashkautor dhe dëshmitar i vjedhjeve më të paimagjinueshme, më të pallogaritshme, më të mëdha që Edi Rama ka bërë në Shqipëri gjatë këtyre 12 viteve së bashku me Erion Veliajn dhe organizatën e tij kriminale.
Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 përqind të pronësisë. Me këtë rast, unë kërkoj në mënyrën më urgjente rikthimin e Erion Veliajt në Tiranë. Dënoj në mënyrën më të ashpër këtë akt superskandaloz. Rikujtoj qytetarët shqiptarë se Erion Veliaj ishte thirrur të paktën 3 herë për orë të tëra në Skapin e partisë dhe herën e fundit, ai u njoh me dokumente të cilat besonte se nuk ia dinte kush mbi tokë. Herën e fundit, ai u gjet para pohimeve të bashkëshortes dhe vëllait të tij, të cilat e inkriminonin atë në mënyrë fatale. Herën e fundit, Erion Veliaj u vendos para dokumentave, llogarive bankare, të cilat janë vetëm maja e ajsbergut e parave të vjedhura prej tij. Të gjithë të dhënat flasin se ai depozitat më të mëdha i ka në Dubai.
Në qoftë se Jamarbër Malltezi, i cili ka marrë 410 metër tokë të gjyshërve të tij, u arrestua në mënyrë brutale tek kthehej në Tiranë nga jashtë, nga Edi Rama, Taulant Balla dhe llumi tjetër qeveritar, pa u pyetur as dhe njëherë të vetme, Erion Veliajt i pyetur disa herë, i akuzuar me akuza që shkojnë nga 20 gjer 35 vite burg, as nuk iu hoq pasaporta, as nuk u lëshua urdhër-arresti, me qëllimin e vetëm që ai të largohej për të mos kompromentuar, për të mos u treguar shqiptarëve përmasat e vjedhjes së Edi Ramës dhe klanit të tij. Kërkoj dhe njëherë rikthimin me urgjencë të Erion Veliajt ose dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës. Ky akt është fytyra e vërtetë e narko-shtetit, e diktaturës. Erion Veliaj u përcoll pra jo vetëm për t’i shpëtuar dënimit, por për të fshehur krimet e Edi Ramës.
(BalkanWeb)