TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur një hakmarrje politike dekorimin e ish-deputetit Gafur Mazreku, i cili plagosi themeluesin e PD-së Azem Hajdarin në vitin 1997.

Berisha thotë se urdhri i Edi Ramës për dekorimin është një akt i pashembullt në historinë e një vendi të lirë.

Për ish-kryeministrin të dekorosh njeriun që përgjaku parlamentin për herë të parë do të thotë të shkrehësh një breshëri të re plumbash mbi Azem Hajdarin dhe t’i shpallësh luftë PD-së, demokratëve të mbarë Shqipërisë.

STATUSI I BERISHËS
Edi Rama dekoron atentatorin e tribunit të lirisë Azem Hajdari!
Të dashur miq, urdhri i Edi Ramës për dekorimin pas vdekjes të Gafur Mazrekut, njeriut që i shtyrë nga pushteti i atëhershëm, duke shfrytëzuar një zënkë si pretekst shkrehu në parlament breshëri plumbash mbi liderin e dhjetorit Azem Hajdari, është një akt i pashembullt në historinë e një vendi të lirë.
Me këtë vendim Edi Rama dëshmon urrejtjen atërore ndaj tribunit të lirisë për pushtetin e humbur të etërve të tij.
Të dekorosh njeriun, kriminelin që përgjaku për herë të parë në histori parlamentin e vendit do të thotë të shkrehësh në emër të tij breshëri të re plumbash mbi gjoksin e heroit legjendar si dhe t’i shpallësh luftë Partisë Demokratike, demokratëve të Hasit, të Veriut dhe të mbarë Shqipërisë.
Me këtë vendim të pashembullt në historinë e një vendi të lirë, Edvin Kristaq Rama ndjell gjakun në parlamentin e vendit, përligj vrasjen politike, shpërblen dhe nderon për qëllime kriminale politike krimin në tërësi dhe krimin politik në veçanti!
Ky akt kriminal, me të cilin Edvin Kristaq Rama shpërblen dhe nderon njeriun që meritë të vetme ka krimin e shëmtuar të derdhjes së breshërive të plumbave në parlament mbi Prijësin e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, themeluesin e Partisë Demokratike dhe pluralizmit politik, përbën një hakmarrje të qartë politike primitive e cila kërkon shpagim! sb

Berisha fb ok

VIDEO E SHERRIT MES AZEM HAJDARIT DHE GAFUR MAZREKUT

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb