Kreu i PD Sali Berisha ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama pasi kreu i qeverisë njoftoi në fund të vitit të kaluar se rrjeti social TikTok do të mbyllet në javët e para të 2025-ës.

Gjatë 34-vjetorit të themelimit të RD, Berisha tha se Rama është “armik i fjalës së lirë”, ndërsa shtoi se kryeministri po e mbyll TikTok-un për shkak të përdorimit masiv që ka platforma. Sipas tij, kreu i qeverisë kërkon të “varë” në litar TikTok-un.

Pjesë nga fjala e Berishës

“Ndofta asnjë komb nuk ka paguar çmim më të lartë se sa ne për fjalën e lirë. Dy gjëra duhet të ndihemi krenar. Ato kodet tona të lashta, pavarësisht me të themi, me ngurtësinë e tyre, por ato kanë qenë më të hekurta se të gjitha ligjet për fjalën e lirë.

Lajmësi nuk preket dhe kjo shekuj më vonë është sanksionuar në nenet e Kushtetutës Amerikane.

Së dyti, asnjë komb tjetër nuk ka sakrifikuar për fjalën e lirë, sa kemi sakrifikuar ne shqiptarët në diktaturë.

Karl Jasper shkruan tek ‘Faji gjerman’ se në vitet e luftës në regjimin e Hitlerit, të pretendoje     për të bërë opozitë, duhej të hapje varrin me duart e tua.

Ju garantoj se ky rregull ishte pothuajse identik edhe në Shqipërinë e Enver Hoxhës.

Për vargjet e tij, Havzi Nela u var në gusht të 1988, me firmën e diktatorit dhe ngjitur me firmën e diktatorit ishte dhe firma e skulptorit kriminel, i cili mes të gjithë atyre që ishin, përfaqësonte kulturën, artin.

Ndofta duhej të ishte ndër më të paktit, që të mund të firmoste me dorën e tij aty. Jo. Ishte i dyti që firmosi pas Ramiz Alisë, dhe në atë dekret pati të tjerë që nuk firmosën.

Historia në një farë mënyre përsëritet.

Sot pas 36 vitesh nga ajo kohë, pinjolli i tij firmos të varë në litar Tik Tokun.

Akti më i rëndë i censurës që mund të ndërmerret.

Akti më i rëndë ndaj fjalës së lirë. Një platformë e cila ka një përdorim masiv sot, por duhet ta pranoj se njëlloj si Twitteri, pasi u ble nga Elon Musk, nuk ka censurë. Tik Toku censurë nuk ka.

Por meqenëse nuk ka censurë, Edi Rama njëlloj si i ati firmos për ta varur në litar. Imagjinoni ju se cili është koncepti i tij për fjalën e lirë.

Nuk është e rastit kur 10 vite më parë zonja Rama do të ftonte gazetaret në një akt të pashembullt për tu uruar vitin e ri, ky ishte një xhest shumë fisnik, e meritonin gazetarët një respektim. I ftoi në pallatin presidencial.

Por çfarë u tha sulltanesha e Surrelit; në ato artikuj, ato gjilpëra helmi që i çoni burrit tim. Dhe qëllimi pra, ishte makabër, të shpallte artikujt e gazetareve si helme për bashkëshortin e saj.

Nuk do të ndalesha ti jepja një karakter, por ku janë të pandarë ndaj fjalës së lirë dhe qëndrimit ndaj kritikave, atëherë nuk ke sesi të mos i klasifikosh si armiq të egër të fjalës së lirë”, shprehet Berisha.

(BakanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb