Kryetari i PD, Sali Berisha e konsideron të rëndësishme për opozitën votën e shqiptarëve të diasporës në 11 maj. Gjatë një takimi me kryetarët e degëve të PD në selinë blu, Berisha tha se “asgjë nuk do të ndikojë më shumë në fitoren e opozitës se vota e mijëra opozitarëve që kanë ikur jashtë”.

Lideri i opozitës la disa porosi për krerët e degëvve duke kërkuar prej tyre verifikimin dhe identifikimin me urgjencë të emigrantëve votues, duke përpiluar një grafik pune.

“Emigracioni kudo që ndodhet në të tërësinë e tij ka lidhjet e pamohueshme me njerëzit në Shqipëri. Dhe sikur, familje të tëra të jenë shkëputur, përsëri në atë mjedis dikush dëshmon se kanë jetuar. Por dëshmitari më i mirë,më i sigurtë janë listat e votimit. Që në udhëzimin e parë, ju keni marrë udhëzim që të krijoni grupet e punës për verifikimet e tyre në çdo qendër votimi. Verifikimi dhe identifikimi i emigrantëve në listat e votimit është procesi më themelor i të gjithë angazhimit tonë për votën e shqiptarëve jashtë vendit. Unë e di se, ju keni filluar punën, por ritmet e kësaj punë duhet me urgjencë të shpejtohen. Një grafik i ri do hartohet nga drejtuesi e qarqeve dhe do u shpërndahet kryetarëve të degëve, dhe ju grafikun tuaj për kryetarët e grupseksioneve dhe me radhë.

Duhet një grafik emergjence, sepse vota, votimi i emigracionit para gjysmës së elektoratit përfundon më datën 12 mars. Është vendosur një datë, afat për regjistrimin e tyre dhe ata që regjistrohen, apo ky proces përfundon më 12 mars. Pas kësaj date mbyllet proces për 1.5 milionë votues.

Ata 1.5 milionë votues janë më së pari në listat e votimit. I keni në listat e votimit. I keni pastaj, në çdo familje dhe kudo. Por, listat e votimit janë dokumentet bazë të orientimit tuaj. Rezultatet e deritanishme nuk janë ato që duhet të ishin. Unë e di që është bërë punë, dhe po bëhet. Por kjo kërkon që çdo drejtues qarku dhe çdo degë të ngarkojë, të angazhojë forca shtesë për kompletimin sa më parë të këtij procesi. Çdo degë duhet të ketë drejtuesin operativ të procesit, që e kontrollon atë çdo ditë. Ju si kryetarë keni këtë detyrë më kryesore.

Mos harroni se, asgjë nuk do ndikojë më fuqishëm në fitore se sa vota e qindra mijëra opozitarëve, që të persekutuar në një formë apo në një tjetër nga ky regjim, kanë marrë rrugët e dheut. Edi Rama dhe regjimi është i diskredituar tashmë. Edi Rama është kryeministri i vetëm i Europës, përveç Lukashenkos që i organizohen protesta kudo që shkon nëpër Europë dhe në botë. Taulant Ballën e neverisin, po e përçmojnë. Prenoton salla super të kushtueshme dhe i mbush me mijëra flamuj. Sallat mbeten bosh dhe detyrohet të shkojë të gjejë një qoshe me ata pak vetë që i shkojnë.

Ky është një regjim tërësisht i diskredituar që po dekompozohet. Përljeshjet e tyre të brendshme janë shkatërrimtare dhe janë përfundimtare, siç ndodh rëndomë midis klaneve mafioze dhe organizatave kriminale. Gjithmonë paqja midis tyre është e përkohshme. Pasi e sikterisi sikur të ishte leprozë Edi Rama Erion Veliaj, tani e merr në ndonjë takim, por janë si shërbimet e fundit. Por ne, nuk e bazojmë fitoren tonë në luftën e tyre të brendshme”, u shpreh Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb