Erli Murati, Drejtori i Informacionit të News24, në emisionin “Open” duke komentuar marrjen si të pandehur të Sali Berishës nga ana e SPAK tha se s’ka pse të shqetësohet askush pse një ish-Kryeministër po shkon në Gjykatë.
Murati tha se është Gjykata ajo që do e vendosë nëse është i fajshëm apo i pafajshëm, duke shtuar se nuk ishte aspak normale që të bëhet një protestë para godinës së SPAK ku i kërkohet llogari pse po shkon në Gjykatë një ish-President dhe ish-Kryeministër.
Murati tha se protesta e parë që bëhet para godinës së SPAK nuk bëhet për të kërkuar që të bëhet më shumë kundër korrupsionit, por bëhet për të kërkuar llogari pse i ngritët akuzë një ish-Kryeministri.
“Njerëzit janë të gatshëm të presin se çfarë do të thotë Gjykata. Nga sondazhet nuk kemi parë perceptimin që Berisha po goditet politikisht. Mendoj se fati personal i Berishës duhet të ndahet nga ai i opozitës.
Nëse nga shqiptarët mund të perceptohet se Berisha është i burgosur politik, kjo mund të ndikojë dhe të rrisë mbështetjen elektorale për PD-në. Në të kundërt, pra nëse provohet akuza për korrupsion, atëherë do të ketë një ndikim negativ në elektorat”, tha Murati.