Kryetari i PD-së Sali Berisha ka vlerësuar Presidentin historik të Kosovës Ibrahim Rugova si misionar që besonte fort në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në 80-vjetorin e lindjes së Presidentit, kryedemokrati tha se Ibrahim Rugova në nisi zbatimin e projektit të tij; ndërtimin e shtetit paralel në Kosovë, përballë shtetit të pushtuesit.

“Ai krijoi një pushtet paralel real, me kostot e tij, një qeveri në mërgim, por një qeveri aktive, e cila realizoi një përfaqësim ndërkombëtar në kohë reale. Qendrat e informacionit të saj, u bënë gjenerator kryesor të të vërtetave të shqiptarëve në Kosovë. Krahas qeverisë në mërgim, udhëheqja tjetër Lidhjes Demokratike të Kosovës, operonte dhe vepronte në Kosovë. Pra ëndrra filloi tani të shndërrohet në realitet.”- tha Berisha.

Për Berishën figura e presidentit Rugova mbetet emblematike për kombin shqiptar.

“Shumë dëshirojnë të krahasohen me Skënderbeun, etalon, natyrisht princ i përjetshëm. Por në qoftë se pushka dhe penda, penda dhe pushka janë dy mjetet më kryesore të njeriut për të bërë historinë, dhe në rast se Skënderbeu e bëri me shpatë, Ibrahim Rugova e bëri me mendje, e bëri me penë.”-vijoi më tej kreu i PD-së.

Kryetari i PD-së vlerësoi Presidentin Ibrahim Rugova si gjeniun e rrallë jo vetëm në historinë e politikës shqiptare, por për veprën e tij ndër më uniket në historinë e Europës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb