Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur edhe mbrëmjen e sotme fjalën e tij para mbështetësve të mbledhur poshtë ballkonit të banesës së tij. Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se kryeministri Edi Rama pasi organizoi grushtin e shtetit me mafian ndërkombëtare kundër opozitës, u vërsul me të gjitha mjetet për ta fshirë atë nga faqja e dheut.

Sipas Berishës, Rama dështoi dhe më pas ai ndërseu mercenarët e tij të drejtësisë, të burgosë në arrest shtëpie rivalin e vet politik, me bindjen e thellë se mandat nuk fiton kurrë me në këtë vend. Ai gjithashtu theksoi se protesta e 7 tetorit është një betejë për mbarë shoqërinë shqiptare për fatin e Shqipërisë.

Fjala e Berishës:

Të dashur miq! Edi Rama, ky padrino, pasi organizoi grushtin e shtetit me mafian ndërkombëtare kundër opozitës, u vërsul me të gjitha mjetet për ta fshirë atë nga faqja e dheut. Por dështoi dhe më pas ai ndërseu mercenarët e tij të drejtësisë, të burgosë në arrest shtëpie rivalin e vet politik, me bindjen e thellë se mandat nuk fiton kurrë me në këtë vend.

I papërmbajtur, i tmerruar nga fuqia e opozitës për të mbjellë frikë dhe terror te çdo qytetar, ai burgosi me dëshmitar të rremë, Ervin Salianjin, sepse u faktoi shqiptarëve dhe botës, se vëllazëria Xhafa me faqeziun ministër dhe me Geronin e shpellave, vazhdonte trafiqet, pasurohej me Olsin, me Edin vëllazërinë Rama. Kjo është një betejë për të shpëtuar kombin shqiptar, nuk është një betejë kjo për Ervin Salianjin, as për një njeri tjetër, është një betejë kjo për një parti politike.

Kjo është një betejë për mbarë shoqërinë shqiptare. Kjo është një betejë për fatin e Shqipërisë. Ata të cilët projektuan shkatërrimin e kombit me shkatërrimin e opozitës, do të marrin në flaket e kësaj lëvizje, përgjigjen përfundimtare. Dhe do të marrin kur në çdo skaj, në çdo shesh, në çdo rrugë, qytetarët të ngrihen në mosbindje civile. Kur Shqipëria të jetë e tëra në duart e tyre, dhe jo në duart e këtyre kriminelëve mafiozë dhe mafias ndërkombëtare që kërkon me çdo kusht, kombin shqiptar ta mposhtë, ta shkatërrojë me drogë, korrupsion, vjedhje.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb