Etrit Berisha, portieri i kombëtares, brenda pak ditëve pritet të zbardhë të ardhmen e tij pasi aventura te Atalanta mund të quhet e përfunduar, duke patur parasysh se bergameskët do të nisin një revolucion në skuadër i cili fillon nga porta.


Gjithsesi ‘gardiani’ kuqezi pritet të mbetet po në “Seria A” pasi Sampdoria është e interesuar për shërbimet e tij. Sipas “Secolo XIX” pas largimit të Viviano-s portieri tjetër i dorianëve do të jetë Etrit Berisha.


Kontaktet janë të shpeshta dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis palëve kanë bërë të mundur arritjen e një marrëveshjeje në një kohë të shkurtër. Portieri i kombëtares shqiptare pritet në Genoa orët e ardhshme për të kaluar vizitat mjekësore.


Kujtojmë që Berisha nuk do të jetë shqiptari i vetëm te Sampdoria pasi prej ditësh raportohet se klubi ka arritur të mbyllë gjithçka për Valon Berishën, mesfushorin e Salzburg mbi bazën e 7 mln eurove.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb