TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se vendi është në një fazë të paprecedentë dhe të tmerrshme, pasi sipas tij faktet tregojnë se Ilir Meta, kishte një skenar për të eliminuar dy deputetë. Pasi seanca parlamentare është ndërprerë për disa minuta, për shkak të debateve dhe toneve të larta, ish-kryeministri i pyetur nga gazetarët ka përfituar të theksojë edhe njëherë se maxhoranca kërkon të mbulojë skenarin e Metës.

“E turpshme se si maxhoranca kërkon të mbulojë skenarin ogurzi të Ilir Metës. Skenar që faktohet në mënyrë përfundimtare. Fakti që Durim Bami ka deklaruar në vullnetin e tij se është kërcënuar; fakti që Mark Frroku gënjeu se nuk njihte Durim Bamit; fakti se Ilir Meta ka thirrur familjarët e Mhill Fufit për të akuzuar Berishën, të gjitha këto flasin për një skenar të Ilir Metës për të eliminuar dy deputetë të parlamentit. Fazë e tmerrshme, e paprecedentë në një vend të lirë”, tha Berisha.

Ai deklaroi se Prokuroria po shkruan ato që dikton pushteti dhe nuk mund ta përballojë dot këtë çështje.
“Kemi të bëjmë me manipulim të provave nga Prokuroria. Kam deklaruar që në fillim se kurrë në këto rrethana, Prokuroria ka vetëm një alternativë të shkruajë ato që dikton pushteti. Kjo është një çështje që asnjë prokuroria nuk e përballon dot. Ju e patë çfarë ndodhi mbrëmë. Kërkesa për të paraqitur një provë nuk u pranua. Kryepersonazhi i të famshmit George Orëell, thotë se ne do tërheqim PS nga parlamenti, ne nuk vazhdojmë kështu. Se çfarë ka ndërmend me këtë është e sigurt se ai ka një intolerancë absolute për pluralizmin. Ndiqeni çfarë do bëjmë në seancë. Kemi dërguar vite më parë amendamentin kushtetues që të mos ketë asnjë pengesë prokuroria, nuk e kemi bërë me mëdyshje por me bindje”, tha Berisha.

Ndërsa deputeti socialist Taulant Balla e ka quajtur të papranueshme sjelljen e PD-së, e cila sipas tij po sulmon institucionet e vendit dhe nuk respekton rregulloren e kuvendit. Balla ironizoi Berishën, duke e quajtur zëdhënës të Durim Bamit.

“Është e papranueshme që një Parti që ka qeverisur endin për vite me radhë të sulmojë institucionet e vendit, të mos respektojë rregulloren e kuvendit. Sjellja e sotme e PD-së e papranueshme. Qëndrimi jonë i bërë qartë, bindja jonë është që seanca duhet të vazhdojë në respekt të rregullores. Qytetarët janë ata që vlerësojnë. Saliu i mbetur i papunë nga zgjedhjet e 23 qershorit, ka nisur punë si zëdhënës të Durim Bamit”, u shpreh Balla.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb